I bllokon policia, banorët: Nuk na lejojnë të hyjmë në shtëpi

Policia bashkiake dhe ekipet e Shqiponjës bllokuan këtë të hënë hyrjen në shtëpi të familjarëve që banojnë te zona e mbikalimit të fabrikës së miellit. Ata akuzohen se kanë shkatërruar kangjellat e rrugës, por banorët thonë se nuk kanë asnjë rrugë tjetër për të kaluar.

Forca të shumta të policisë bashkiake dhe efektivët e Shqiponjës u përplasën këtë të hënë me familjarët e Nazmi Shabës në rrugën "Irfan Tomini" në kryeqytet ose ndryshe tek mbikalimi te fabrika e miellit.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve dhe Ndriçimit Publik, familja Shaba ka demontuar pa autorizim kangjellat që janë aty.

Por banorët shprehen se kangjellat janë ekzistuese prej vitesh dhe se ajo është hyrja kryesore e shtëpisë së tyre.

Mes thirrjeve na lini të hyjmë në shtëpinë tona pjestarët e familjes Shaba kërkonin ndihmën e medias që e shihnin si të vetmen shpresë.

Banorët thonë se për këtë urdhër të Bashkisë nuk janë vënë në dijeni.

Ata kërkojnë që Bashkia ti lërë të qetë të jetojnë në shtëpitë e tyre pasi janë qytetarë të rregullt të këtij vendi ku paguajnë çdo detyrim që ju takon.