"Sa më pak politikë", porositë e Ramës për 6 marsin: Kundërshtarët me 6 sheshe për 18 përsheshe
Shefi i mazhorancës, Edi Rama, është i bindur se PS nuk i duhet shumë fushatë elektorale për zgjedhjet e pjesshme vendore.
Në mbledhjen e grupit ai i la porosi deputetëve socialistë që të përfitojnë sa më shumë nga lufta Berisha-Basha, e cila do të përçajë më shumë votën e demokratëve në 6 mars.
"Ndërkohë që sa më pak politikë në këto zgjedhje, aq më mirë, pasi politikisht panorama e këtyre zgjedhjeve është e qartë. Nga njëra anë ne me ofertën tonë të punës për komunitetin, nga ana tjetër kundërshtarët tanë politikë, në 6 sheshe, për 12 ose 18 përsheshe, varet si do rreshtohen. Po 12 minimumi, 18 e mundshme, edhe më shumë mbase. Nga njëra anë ne, 6 kandidatë, të cilët do të ofrojnë një mundësi zgjedhjeje të bazuar tek puna konkrete, nga ana tjetër ata me 12, 18 ose më shumë që do të luftojnë për mbijetesën politike të 2-3 udhëheqësve partiakë këtu në Tiranë dhe që s’kanë asnjë lidhje me këto zgjedhje në vetvete".
Rama nuk ka kursyer as presidentin Ilir Meta, të cilit ja ka frikën që në këtë situatë politike mund të përfitojë elektorat.
"Nga një anë ne me të mirat e të metat tona në një garë për të punuar më shumë, nga ana tjetër ata me bravat, varretë, trastat me dekorata. Të gjithë kundër të gjithëve për të provuar forcat mes tyre në kurriz të atyre bashkive e hipur mbi shpinën e anëtarësive të këtyre partive".
Socialistët kanë nisur te mendojnë për emrin që do ta zëvendësojë Metën në krye të Shtetit. Dhe për këtë çështje Rama ka një merak të veçantë.
"Pas një serie personazhesh që e kanë degraduar figurën e Presidentit në një prezencë minuse për institucionin e Kreut të Shtetit, për të thënë më të paktën, ne kemi përgjegjësinë e madhe qytetare, politike dhe kushtetuese që ti japim popullit shqiptar në krye të shtetit një njeri normal në radhë të parë, një kryerar dhe kryetare shteti që ti kthejë normalitetin njerëzor, moral dhe institucional zyrës së Presidentit të Republikës.Nuk do të bjerë nga qielli, me siguri do të gjendet mes nesh, në territorin e Republikës së Shqipërisë apo territorin shpirtëror të kombit tonë se mund të jetë dhe jashtë Republikës së Shqipërisë por e kemi detyrim ti japim asaj zyre mundësinë që për 5 vitet ardhshme të ketë një njeri normal, një qytetar normal, një figurë moralisht dhe profesionalisht normale".
Edhe njëherë kryesocialisti u ka kërkuar deputetëve të tij që të mos përfshihen në debate me deputetët e opozitës, por sipas urdhrit e tij, deputetët e PS duhet të përmirësohen duke dëgjuar qyetarët.

