Kishin "burgosur" 30 emigrantë nga Lindja e Mesme për pagesën e transportit, 2 të huaj mes 3 trafikantëve
Një tjetër bazë e pritjes së emigrantëve që vijnë nga vendet e Lindjes është zbuluar nga policia në zonën e Laprakës në kryeqytet. Policia ka vënë në pranga 3 organizatorët, një shqiptar dhe dy shtetas të huaj, ndërkohë që janë proceduar në gjendje të lirë edhe 14 emigrantë.
30 emigrantë të huaj janë mbajtur peng për disa ditë në një banesë të përshtatur si hotel në zonën e Laprakës më kryeqytet, derisa familjarët e tyre të paguanin lekët e transportit.
Policia e kryeqytetit ka vënë në pranga 3 persona mes tyre një shqiptar dhe dy shtetas të huaj, të cilët dyshohet se janë organizatorët e këtij trafiku të paligjshëm.
Mësohet se policia ka patur informacion me herët për ardhjen e shtetasve të huaj të paligjshëm, ndërsa në mesnatë duke u gdhirë e dielë ka ndërhyrë duke kapur në flagrancë në ambientet e kësaj banese 30 emigrantë të huaj, të cilët mbaheshin nëpër dhoma, pa u lejuar të dilnin, duke iu marrë mjetet e komunikimit.
Emigrantët që vinin kryesisht nga vendet e Lindjes së Mesme mbaheshin në katin e parë, të tretë dhe të katërt të vilës që ishte në pronësi të shqiptarit Mentor Kuka.
Policia ka vënë në pranga pronarin e banesës Mentor Kuka, 40 vjeç, nga Tirana, Muhamed Emin, 26 vjeç, nga Libia dhe Zakaria Dervish, 27 vjeç, nga Maroku. Të tre akuzohen për ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve, shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë dhe heqja të paligjshme të lirisë.
Gjithashtu u proceduan penalisht edhe 14 emigrantë të huaj, që akuzohen për kalim të paligjshëm të kufirit shtetëror të Republikës së Shqipërisë.
Ky nuk është rasti i parë që në kryeqytet strehohen emigrantë të paligjishëm, kryesisht në ambiente të përshtatura si hotele.
Të gjithë imigrantët kane si qëllim largimin drejt Gjermanisë, Austrisë, Suedisë, Italisë apo vendeve të tjera anëtare të BE-së.
Në këto kushte, rrjete të organizuara të kondrabanduesve të përbëra nga shtetas grekë, shqiptarë dhe të vendeve të treta, në shumë raste organizojnë, kundrejt pagesës, udhëtimin e tyre drejt Italisë apo deri në kufirin me Shqipërinë.
Pak ditë me parë SPAK vuri në pranga 27 persona si pjesë e një rrjeti ndëkombëtar trafikimi.

