Trafik kokaine e heroine nga Turqia e Holanda, shkatërrohet banda e shqiptarëve në Itali, rivale me mafien italiane
Një grup kriminal shqiptar që trafikonte sasi të mëdha kokaine e heroinë nga Turqia e Holanda në tregjet jugore italiane, e afera shumë fitimprurëse e drogës kishte nxitur pretendimet e mafias puglieze Sacfra Corona Unita për të pasur "llokmën" e saj.
Një operacion i autoriteteve policore italiane ka çuar gjatë ditës së sotme, 22 janar në shkatërrimin e një grupi trafikantësh shqiptarë me bazë në Brindizi të Italisë që trafikonin heroinë e kokainë nga Turqia e Hollanda.
Janë ekzekutuar 23 urdhër ndalime; 19 prej tyre nën urdhër arrestimi me burg e 4 në arrest shtëpiak.
Arrestimet janë kryer në Brindizi, Shqipëri, Taranto e Kalabri.
Hetimet kanë zbardhur se trafikantët shqiptarë kishte aftësi të trafikonin sasi të mëdha droge nga Turqia e Hollanda e ta tregtonin në tregjet ilegale në Puglia e Reggio Calabria.
Hetimet kanë vërtetuar gjithashtu dhe interesin e mafias puglieze Sacra Corona Unita, mbi aferat fitimprurëse të trafikantëve shqiptarë duke pretenduar një pjesë të tyre.
Gjatë fazave të hetimit e deri në ekzekutimin e sotëm të këtij operacioni, janë sekuestruar 57.5 kg kokainë, 20 kg substancë përzierëse për përgatitjen e dozave të drogës, rreth 202 mijë euro cash, 200 gramë heroinë, 2 pistoleta e fishekë.
Guardia di Finanza e Lecces informon se në hetimet e operacionit janë përfshirë 45 persona e urdhri i ndalimit është ekzekutuar për 23 prej tyre.
Akuzat ndaj tyre janë "trafik ndërkombëtar droge", "aktivitet kriminal me metoda mafioze", "armëmbajtje pa leje" e "riciklim parash nga aktiviteti kriminal."
2 nga personat e vënë nën hetim janë sinjalizuar tek autoritetet gjyqësore dhe për riciklim parash të pista me investime të në sipërmarrje.
