Serbia në alarm për jetën e Vuçiç, Ministria e Brendshme: Krimi kërkon të heqë qafe Presidentin

Autoritetet serbe kanë reaguar me alarm lidhur me një informacion që ka mbërritur në Ministrinë e Brendshme, ku thuhet se grupet kriminale duan të heqin qafe presidentin Aleksandër Vuçiç.

Shoqata e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve të Serbisë bëri thirrje që autoritetet serbe të marrin seriozisht deklaratën e ministrit të Brendshëm për presidentin Vuçiç.

Shoqata mbështet Ministrinë e Brendshme dhe Shërbimin Informativ të Serbisë që së bashku me EUROPOL-in të parandalojnë kërcënimin e qytetarëve, rendit kushtetues të vendit dhe sigurisë kombëtare nga krimi i organizuar.

Ministri i Punëve të Brendshme, Aleksandar Vulin, deklaroi të premten në mbrëmje se një organizatë kriminale e drejtuar nga shtetasi malazez, Radoje Zvicer, kishte planifikuar vrasjen e presidentit serb Aleksandar Vuçiç.

Vulin tha gjithashtu se malazezi ishte një nga krerët e ‘Klanit të Kavaçit’, i cili njihet në Ballkan për kontrabandën e narkotikëve, armëve dhe cigareve.

Ministri i Brendshëm njoftoi se informacioni për vrasjen e Vuçiç erdhi nga koordinimi i Ministrisë së tij, Agjencisë së Shërbimit Informativ dhe EUROPOL-it dhe deklaroi se ka nisur puna për identifikimin e të gjithë anëtarëve të organizatës kriminale.