"S'ka tolerim për policët dhunues!" Nano: Po hetojmë aktivitetin minerar në Dibër
Drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, nga Dibra tha se nuk do të ketë asnjë tolerim për efektivët që ushtrojnë dhunë ndaj qytetarëve. Duke shtuar se do të ketë hetim për ngjarjet kriminale të shkuara, Nano tha se policia europiane nuk bëhet për një ose dy ditë.
Nga Dibra ku mori pjesë në analizën vjetore të DVP Dibër, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, tha së nuk do të tolerohet asnjë rast i punonjësit të Policisë që nuk sillet mirë me qytetarin apo ushtron dhunë ndaj tij.
"Nuk jam për një polici të dhunshme me qytetarët, jam për një polici profesionale dhe me rezuoltate të qarta dhe të suksesshme ndaj kriminalitetit."
Nga ana tjetër Nano u shpreh se Policia e Shtetit është pranë zbardhjes së disa ngjarjeve të rënda.
"Jemi duke zhvilluar hetime shumë të rëndësishme për të cilat do të kemi rezultate".
Gjithashtu drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, tha se po hetohen edhe subjektet minerare në zonën e Bulqizës, të cilat janë bërë shkak edhe për ngjarje kriminale.
"Jemi duke i parë të gjitha dhe për këto raste kemi hetime të cilat do ti finalizojmë në drejtimin e prokurorive përkatëse. Për shkak se në qarkun e Dibrës ka një aktivitet të tillë, jemi të fokusuar dhe janë lënë porosi të qarta lidhur me të gjitha dyshimet për abuzime në këtë sektor."
Gledis Nano shtoi se synohet që në vend të kemi një polici europiane, por nënvizoi se kjo nuk mund të arrihet për 1 ose 2 ditë.

