Media gjermane artikull për fshatin Fishtë të Lezhës: Nafta e shtrejtë, në 2022 shqiptarët punojnë tokën me parmendë

"Për të lëruar tokën atij i duhet një gomar dhe një punëtor që merret me kafshët"- kështu nis artikulli i medias gjermane Euronews, e cila ka shkruar rreth situatës së bujqësisë në vendin tonë dhe problemet që hasin fermerët.

Gazetarët e kësaj medie kanë vizituar fshatin Fishtë në Lezhë, ku dhe kanë intervistuar një banorin e quajtur Ndue Fuga.

Në artikull thuhet se shteti mbështet vetëm fermat e mëdha ndërsa fermerët e vogël të cilët nuk kanë mundësi që të paguajnë traktorin, punojnë tokat duke përdorur kafshët.

"Mbështetja shtetërore kufizohet vetëm për fermat më të mëdha. Do të ishte më e lehtë dhe më e shpejtë me traktor, por fermeri nga veriu i Shqipërisë nuk mund të përballojë karburantin për traktorin. Në vend ka rreth 280,000 ferma të vogla. Vetëm kompanitë më të mëdha marrin mbështetje nga sektori publik, ndaj Fuga nuk ka zgjidhje tjetër veçse të shfrytëzojë gomarin"-  shkruhet në artikullin e medias gjermane.

Ndërkohë Fuga shprehet se ndonjëherë tokën e punon me traktor, por në shumicën e rasteve ai punon tokën me gomar i cili i tërheq parmedën, ndërsa shton se nuk ka mundësi financiare për të pagur mjetet teknologjike.

“Është shumë e vështirë, nganjëherë punoj me një traktor të vogël, ndonjëherë me kafshë tërheqëse."-thotë Fuga.


Çifti Fuga siguron jetesën më punë fizike. Fuga i ka kërkuar ndihmë edhe qeveri pasi sipas tij me kalimin e kohës nuk mundet që të merren më me punë bujqësore.

 “Punojmë me gomarin që të kemi diçka për të ngrënë. Sepse ne nuk mund ta përballojmë naftën”.-shprehet banori.

Më tej ai ka shtuar se së bashku me bashkëshorten marrin nga 83 mijë pension në muaj, ndërsa 5 fëmijët i ka jashtë shtetit.

Media gjermane shprehet kritike ndaj qeverisë duke thënë se edhe pse BE i ka dhënë ndihmë financiare Shqipërisë, nuk ka asnjë përmirësim ekonomik.

"Bashkimi Evropian e quan veten "donatori më i madh për Shqipërinë" dhe i dha vendit një ndihmë prej 594 milionë eurosh nga viti 2007 deri në 2013. Në mars 2020 u vendos të niste negociatat e anëtarësimit. 30 vjet demokraci, por pothuajse asnjë përmirësim ekonomik"- mbyllet artikulli i medias gjermane.