Dhuna te "5 Maji", Rama: Skenat e djeshme do të përsëriten sa herë që...
Ditën e djeshme, 19 janar në kuadër të procesit të rindërtimit në zonën e "5 Majit" në Tiranë u shembën 3 banesa. Kjo u shoqërua me tensione dhe përplasje fizike mes banorëve dhe forcave të policisë. Kryeministri Rama pas përfundimit të mbledhjes me kryesinë e PS-së, ditën e sotme, 20 janar në një deklaratë për mediet komentoi skenat e dhunës gjatë ditës së djeshme.
I pyetur nga gazetarët se çfarë komenti ka për pamjet e dhunës në zonën e "5 majit" ditën e djeshme ku qytetarët u nxorën me forcë nga shtëpitë e tyre nga policia, Rama tha se ato do të jenë pamje të përsëritura sa herë që në emër të mbrojtjes së një të drejte individuale do të shkelet e drejta e përbashkët, do të shkelet ligji.
Rama: Unë di që të gjithë banorëve ju është dhënë qartësisht drejtim dhe qartësisht të gjithë banorët kanë mundësi të përfitojnë të drejta që i takojnë. Asnjë banor nuk hidhet në rrugë, por zhvillimi i këtij vendi dhe e mira e përbashkët nuk merret peng nga askush. Sa herë do të ketë banorë që do të bëjnë këtë, aq herë do të ketë policë që do të shkojnë dhe do të bëjnë detyrën e vet.
Rama tha se nuk është dhunë, por ushtrimi i forcës së ligjit për gjithë ata që i dalin përpara shtetit dhe njerëzve me forcë. Më tej, kryeministri shtoi se opinioni i të gjithë banorëve është dëgjuar me dhjetëra herë.
Në përditësim...
