Vrasja e Eglantina Bucit, dëshmia e motrës në gjykatë fundos të atin: Na rrihte me kabllo elektrik se hanin fëmijët karamele

Babë e bir, Faik dhe Shkëlzen Buci, të akuzuar për vrasjen e vajzës dhe motrës së tyre Englantina Buci rrezikojnë dënimin me 50 vite burg.

Prokurori Artan Lulaj i ka dhënë fund hetimit të kësaj ngjarje të rëndë, duke i kërkuar gjykatës shpalljen fajtor të dy të akuzuarve.

Eshtrat e Eglantinës u gjetën nga një gjuetar në datën 13 shtator 2012, por sipas ekspertëve vrasja kishte ndodhur 1-2 vite më parë. 

Vrasja e 23-vjeçares nuk do te ishte zbardhur nëse një person që kishte qenë në dijeni të ngjarjes nuk do të kishte treguar 10 vite më pas.

Ai  ka fituar statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, ndërsa dëshmia e tij e  bëri që të rihapen hetimet ndaj autorëve, të cilët ishin vëllai dhe babai i viktimës.

Zbardhjen e ngjarjes e ka ndihmuar edhe motra e viktimës Elona Tufa, e cila në  një seancë, e cila ka zgjatur mbi një orë në Gjykatën e Tiranës,  ka  rrëfyer tmerrin e torturave që kryeshin nga babai ndaj dy motrave.

"Kam fakte që jemi rrahur me kabllo dritash nga ky person prandaj u detyruam të iknim nga shtëpia. Me kabllo dritash pse hanin fëmijët karamele, rriheshim në mënyrë barbare. Ky babai im i ka bërë këto.Unë e kam baba. Gjithë jetën derisa kam ikur nga shtëpia. Pastaj mami ka ikur nga shtëpia se lahej në gjak çdo ditë."

Sipas prokurorisë, vrasja tragjike e Eglantinës nga babai dhe i vëllai ka ndodhur 10 vite më parë.

Faik Buci dhe Shkëlzen Buci vranë Eglantinën, pasi kjo e fundit kishte vendosur të jetonte me një djalë, për të cilin ata nuk jepnin aprovimin e tyre.

Faik Buci urdhëroi djalin e tij të vriste të motrën.

Shkëlzen Buci, me urdhër të babait ekzekutoi në malin e Dajtit Eglantinën dhe më pas e fshehu trupin në vendin e ekzekutimit.