Hektor Xheçuka, iku nga shtëpia e lëvizte rrugëve të Tiranës, prokuroria do kërkojë mbylljen në burg të dënuarit me 4.8 vite

Prokuroria e Tiranës, do kërkojë zëvendësimin e masës së sigurisë nga “arrest në shtëpi” në “arrest në burg”, për personin e arrestuar mbrëmjen e djeshme, Hektor Alias Tori Xheçuka, i proceduar disa herë për ngjarje të rënda penale.

Xheçuka, ka thyer vendimin e Gjykatës së Apelit Tiranë, që kishte urdhëruar ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg në mungesë” në “arrest shtëpie”.

“Ora News”, ka mësuar se Hektor Xheçuka, është akuzuar nga prokuroria e Matit për veprën penale të “Vrasjes me dashje” mbetur në tentativë në dëm të Enrik Metra dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve të zjarrit”.

Për këto dy akuza, prokuroria e Matit ka kërkuar dënimin deklarimin fajtor dhe dënimin me 6 vite burgim të Hektor Xheçukës.

Ndërsa trupi gjykues i përbërë nga Armela Hasantari, dhe dy gjykatësit e Tiranës, Artan Gjermeni e Lazër Sallaku, vendosën të kualifikojnë akuzën ndaj Hektor Xheçukës, nga “Vrasje me dashje” mbetur në tentativë në “Plagosje e rëndë me dashje”, duke e dënuar Xheçukën me 4 vjet e 8 muaj burgim.

Ky vendimin është apeluar nga prokuroria e Matit, e cila kërkon në gjykatën e Apelit Tiranë, dënimin me 6 vite burgim të Xheçukës.

Por teksa Xheçuka ka qënë në pritje për tu gjykuar në Apel, e njëjta gjykatë ka marë në shqyrtim një kërkesë për lirimin e Xheçukës, nga masa e “arrestit në burg” në atë të “arrestit në shtëpi”. Kjo kërkesë është pranuar nga gjykata e Apelit Tiranë, e cila ka urdhëruar që Xheçuka të qëndronte i mbyllur në banesën e tij në Kamëz.

Por koha tregoi se personi me precedentë penalë, qarkullonte lirshëm në rrugën e Tiranës, ku gjatë pasdites së djeshme mundi të arrestohet nga agjentët e policisë.

Tashmë do jetë prokuroria e Tiranës, ajo që do kërkojë mbylljen në burg të Hektor Xheçukës, për shkak të thyerjes së vendimit të gjykatës, duke u larguar nga banesa ku kishte urdhëruar gjykata të qendronte./Ora News/