Ministrja gjermane e Evropës viziton Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë: Duhet të nisin bisedimet për anëtarësimin në BE

Ministrja gjermane e Evropës, Anna Lührmann do të vizitojë sot Maqedoninë e Veriut dhe të martën, 18 janar Shqipërinë. Siç bëhet e ditur nga një njoftim i ministrisë së Jashtme gjermane, Lührmann do të takohet të hënën 17 janar në Shkup me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Perandovski, kryeministrin e emëruar, Dimitar Kovaçevski (LSDM), zëvendëskryeministrin e emëruar, Bojan Mariçiq, ministrin e jashtëm, Bujar Osmani (BDI), si edhe me përfaqësues të shoqërisë civile.

Në Shqipëri Ministrja e Shtetit do të takohet me Kryeministrin Edi Rama, zv.Ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme Megi Fino si dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Rrjetit Rinor Rajonal RYCO Albert Hani.

Në njoftim thuhet se "Gjermania mbështet seriozisht perspektivën e Ballkanit Perëndimor në BE: Bisedimet me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për anëtarësimin e tyre në Bashkimin Evropian duhet të nisin menjëherë. Të dy shtetet i kanë përmbushur kushtet për çeljen e bisedimeve të anëtarësimit. Ne kemi dhënë fjalën. Për rrugëtimin e mëtejshmën drejt Bashkimit Evropian vazhdon të jetë me rëndësi vendimtare vijimi me vendosmëri i reformave dhe qeverisjes së mirë.“

Në fokus të shkëmbimit gjatë bisedave do të jenë marrëdhëniet dypalëshe, procesi i integrimit në Bashkimin Evropian, bashkëpunimi rajonal dhe programi i Shqipërisë si vend anëtar i ri jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ministrja e Shtetit Lührmann do të takohet gjithashtu edhe me përfaqësues të shoqërisë civile për të biseduar ndër të tjera rreth mbrojtjes së klimës.