Bashkitë pa kryetar? KQZ: Dimë për Shkodrën e Dibrën, e Vorën, s'kemi informacion për të tjera

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përmes një shkrese zyrtare i ka kthyer përgjigje presidentit Ilir Meta i cili kërkoi informacion në lidhje me vakancat në pozicionet e kryetarëve të bashkive. KQZ njofton Presidentin se bashkitë pa kryetar janë Vora, Dibra dhe Shkodra, ndërsa nënvizon se nuk ka dijeni për Lushnjen, Rrogozhinën dhe Durrësin, pasi duheshin informuar nga Këshilli i Ministrave.

Në një kohë që Presidenti i Republikës pritet të dekretojë zgjedhje të pjesshme në 6 bashki të mbetura pa kryetarë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thekson se pa kryetar janë gjysma e tyre.

Shkak është bërë neglizhenca e Qeverisë për të dërguar informacion zyrtar në institucionin më të lartë zgjedhor në vend.

Përmes një shkrese zyrtare drejtuar Presidentit KQZ thekson se  pa kryetarë janë vetem tre bashki.

Kjo përgjigje vjen pas kërkesës së presidentit të republikës Ilir Meta për informacionin në lidhje me vakancat në pozicionet e kryetarëve të bashkive.

Dy bashkitë për të cilat KQZ është njoftuar në rrugë institucionale për vakancën janë ajo e Shkodrës dhe e Dibrës. Ndërsa në bashkinë e Vorës mandati i ish-kryetarit Agim Kajmaku u shpall i pavlefshëm.

KQZ ka njoftuar Presidentin se nuk ka dijeni për vakancat në Lushnjë, Rrogozhinë dhe Durrës, informacion të cilin duhet ta kishin marrë nga Këshilli i Ministrave.

Por për shkak se ky informacion është i pjesshëm, Presidentit nuk i lind detyrimi që të arrijë dakordësi për datën në të cilën do të mbahen zgjedhjet e parakohshme lokale.

Më herët Presidenti Meta, në një konferencë për mediat disa ditë më parë tha se do të merrte një vendim për këtë datë menjëherë pasi KQZ të jepte informacionin për bashkitë pa kryetar.