Falet gjyqtarja e "Tik -Tokut, ILD pranon marrëveshjen e Enkeleda Kapedanit: Pezullohet për 6 muaj, por me rrogë minimale

Gjyqtarja e Elbasanit Enkeleda Kapedani, rikthehet në detyrë 6 muaj pas publikimit të fotove e videove të saj në rrjetin social Tik Tok ku tregoheshin pamje e muzikë me fjalor jo etik për figurën e magjistratit. Masa lehtësuese është ndërmarrë nga Inspektoriati i Lartë i drejtësisë pas një marrëveshje të arritur me gjyqtaren, pasi kjo e fundit ka pranuar fajin dhe ka shprehur pendesë të thellë për aktet e saj.

Inspektoriari i Lartë i Drejtësisë ka vendosur rikthimin në detyrë të gjyqtares së Elbasanit Enkeleda Kapedani, 6 muaj pas pezullimit të saj për shkak të këtyre pamjeve që u publikuan në rrjetet sociale

Ish zëvendës kryetarja e Gjykatës së Elbasanit, fillimisht mbajti qëndrim mohues për këto pamje, duke u shprehur se publikimi ishte iniciuar për shkak të detyrës, por sipas ILD nga shtatori i vitit 2021 e në vazhdim, ajo ka ndryshuar qëndrim.

Hetimi disiplinor ndaj Enkeleda Kapedanit filloi në maj 2021, pas pamjeve të dala në rrjetet sociale ku ajo shfaqej në mënyrë provokuese brenda gjykatës së Elbasanit, por në shtator 2021 ajo ka dorëzuar në ILD kërkesën për marrëveshje në këmbim të një dënimi më të butë.

Sipas deklaratës së dorëzuar nga gjyqtarja më 30 shtator 2021, Magjistratja ndryshe nga qëndrimi mohues lidhur me shkeljen disiplinore gjatë procedimit fillestar disiplinor ka marrë përsipër peshën e përgjegjësisë morale, ka kërkuar ndjesë, si dhe ka shfaqur pendesë lidhur me aktet e kryera. ILD bën të ditur se gjatë këtij procesi magjistratja ka deklaruar se periudha e pezullimit deri më sot i ka shërbyer për të reflektuar thellë rreth situatës dhe të ndjejë një peshë përgjegjësie dhe përgjegjshmërie për atë çfarë ka ndodhur, duke e bërë më të kujdesshme në jetën e saj private.

Në këto rrethana, më 5 janar 2022, ILD dhe Gjyqtarja Enkeleda Kapedani u dakordësuan për nënshkrimin e marrëveshjes për caktimin e masës disiplinore “Pezullim” me të drejtën për të marrë pagën minimale për një periudhë kohore për 6 muaj.