Balta zë rrugën, aksi që lidh Memaliajn me dy njësi administrative e kalueshme në një krah

Moti i keq me reshje të shumta që karakterizoi Qarkun e Gjirokastrës nuk ka lënë pa pasoja rrugët rurale.

Prej 10 ditësh aksi rural që lidh Memaliajn me dy njësitë administrative Buz dhe Luffinjë rezulton i pakalueshëm në një krah. Rrëshqitja e baltës nga krahu i kodrës, ka zënë anën perëndimore të këtij aksi në pjesen pasi kalon Sektorin e Tretë të ish- minierës së qymyrgurit.

Banorët e këtyre njësive, kryesisht drejtuesit e automjeteve, janë ankuar në Bashkinë e Memaliajt, por deri më tani nuk kanë reaguar për evadimin e baltës nga rruga, ndërkohë që situata qëndron e pandryshuar.

Kujtojme se ky aks është  rehabilituar falë një fondi prej 1 milion eurosh një vit më parë, ndërkohë punimet kanë qenë jocilësore aq sa nuk është ndërhyrë në krijimin e kanaleve dhe vendosjen e tombinove që do të shmangnin bllokime të tilla me baltë.