Fevziu: PD po u bë dy parti politike, rrezikon që Rama të ketë 61 bashkitë

Gazetari Blendi Fevziu u shpreh se data 8 janar, dita kur dhe u zhvillua protesta para selisë së PD, ishte një moment delikat për të dyja palët, edhe për Sali Berishën dhe për Lulzim Bashën.

Në një intervistë për Ora News, me gazetaren Matilda Mcini, Fevziu u shpreh se futja e policisë brenda selisë, ku dhe bëri shpërndarjen e protestuesve me ujë dhe gazlotsjellës ishte katastrofike, për imazhin e demokracisë në vend.

Ai tha se policia nuk duhet të kishte ndërhyrë në një sherr mes opozitës

Blendi Fevziu: Data 8 ishte momenti i parë i një problematike në ecjen përpara që kanë bërë kontestuesit e Bashës, por në një moment pak delikat për të dyja palët. E para, kontestuesit e Bashës u nisën për të marrë selinë për të ushtruar funksionet e tyre zyrtarisht. Këtë objektiv e humbën, nuk hynë dot në seli. Humbja e objektivit të kontestuesve të Bashës, ishte një problem për Bashën, i cili u detyrua ta mbronte selinë me forcat policore dhe me gazin lotsjellës të cilin e kanë atemuar një periudhë të gjatë kohe në vitet 2019. Sot Rama u shpërlah krejtësisht sepse tregoi se kjo është një metodë që përdoret kudo edhe brenda PD.

Futja e policisë brenda selisë së PD, është katastrofike për imazhin e demokracisë në vend. Ata policisë duhet të ishin atje nëse opozita do të kishte dalë për të protestuar, por jo për të ndalë një sherr mes opozitës. Është katastrofike.

Ndër të tjera Fevziu theksoi se më datë 8 janar, zgjidhjen e dha Edi Rama, pasi ndërhyrja e policisë, mbrojti selinë por edhe largoi protestuesit.

Blendi Fevziu: Jemi në një situatë absurde kur zgjidhjen përfundimtaren e dha Rama. Basha kërkoi policinë për të mbrojtur selinë, Berisha u mund nga policia që solli aty Edi Rama.

Fevizu tha se sot në opozitë janë dy parti dhe sipas tij kjo gjë rrezikon që Rama në zgjedhjet e ardhshme të ketë 61 bashkitë.

Blendi Fevziu: Mua më vjen keq për një gjë, është se PS ka pasur problematika të tilla dhe i ka zgjidhur: Me akuza me sharje, por në fund e ka mbyllur me mjete politike. I vetmi rast që nuk e zgjidhën me mjete politike ishte 2003, kur Meta u largua, nuk u votua, u bë LSI, dhe automatikisht shkoi në opozitë, ndërkohë që PD, ka pas shumë beteja të brendshme, po kurrë nuk ka rënë në banalitetin e akuzave të brendshme për korrupsion. Sot aty janë dy parti. Duket se shumicën e ka Berisha. Po u bënë dy parti politike, rrezikon që Rama të ketë 61 njësi.

Përgatiti Anila Kolgjini.