Strazimiri: Basha thirri policinë për ta mbrojtur nga demokratët, mban peng zyrat e PD-së

Në një intervistë për RTV Ora, anëtari i Komisionit të Rithemelimit të PD-së, Gent Strazimiri u shpreh se Lulzim Basha thirri policinë për ta mbrojtur nga demokratët.

Sipas tij, policia në mënyrë të pashpirtë gazoi të gjithë ata që ishin atje në protestë, duke theksuar se edhe thyerja e xhamave ishte e mirëmenduar nga deputeti Basha

Strazimiri: Ne i lamë një afat deputetit Basha duke zbatuar vendimin e anëtarësisë së PD-së. Në heshtje të kësaj gjëje, demokratët shkuan te selia e tyre, ku kishte ditë që nuk lejohej njeri që të futej. Nuk janë lejuar që të futet deputetët dhe gazetarët, sepse sipas Bardhit se selia po lyhej, kur në fakt godina po blindohej. Lulzim Basha thirri policinë për ta mbrojtur nga demokratët. Ndërsa policia në mënyrë të pashpirtë gazoi të gjithë ata që ishin atje, duke ushtruar dhunë të panevojshëm ndaj demokratët që ishin në shtëpinë.

Dhuna ka nisur qysh më parë kur refuzohet statuti dhe vendimi i kuvendit të PD-së, apo edhe blindimi i partisë për të mos lejuar të futen brenda demokratët. Thyerja e xhamave ishte e mirëmenduar nga deputeti Basha dhe ata që e përkrahin, të cilët mbajnë zyrat e PD-së në mënyrë të paligjshme. E gjitha kulmoi në dhunën policore të kërkuar nga deputeti Basha. E vërteta është shfaqur qysh më 9 shtator dhe të gjithë kanë pasur kohë për të mbajtur qëndrimin e tyre, për të qenë me anëtarësinë e PD-së, apo me Bashën e Ramën.

Strazimiri shtoi se Basha është një mashtrues që nxori Gazment Bardhin duke thënë se partia po lyhej kur në fakt po blindohej nga brenda.

Strazimiri: Basha është një mashtrues që nxori Gazment Bardhin duke thënë se partia po lyhej kur në fakt po blindohej nga brenda. Punimet kanë qenë të paligjshme, sepse është bërë punë publike aty, kur një qytetar i Tiranës nuk lejohet që të ndërrojë tjegullat e shtëpisë së tij dhe përfundojnë në burg. Një gjë e tillë tolerohet nga autoritetet. Po ashtu thanë se nuk ka pasur lëndë helmuese, kur opinioni publik e pa edhe përmes mediave se ka pasur persona me mjete të paligjshme që nuk i ka as policia. Ata sulmuan demokratët nga brenda, teksa tentonin që të futeshin në partinë e tyre.