Të izoluar nga "Rruga e Arbrit", banorët e Gjoricës protestë: Rruga dytësore pa dalje

Banorët e fshatit Gjoricë në Bulqizë kanë protestuar të hënën në rrugën e Arbërit. Sipas tyre firma që po kryen punimet nuk ka lënë rrugë dalëse, ndaj thonë se janë izoluar. Nëse nuk do të ketë plotësim të kërkesave, paralajmërojnë përshkallëzim të protestës.

Dhjetëra banorë të fshatit Gjoricë në Bulqizë u mblodhën të hënën në një protestë në rrugën e Arbrit.

Ata kërkojnë të kenë rruge lidhëse me qendrën e fshatit pasi refuzojnë daljen tek Ura e Çerenecit apo Ura tjetër në afërsi të Maqellarës.

"Këtu është një problem shqetësues, e kemi ngritur këtë problem disa herë. Na kanë thënë që këtu do lihet hyrja, tani e kanë bllokuar."

"Pse të bllokohet vetëm, populli i Gjoricës? Këtë duam ne, duam rrugë dalje."

Banorët shprehen se firma nënkontraktore që ka ndërtuar këtë lot të Rrugës së Arbrit nuk është konsultuar me ta.

"Këtë rrugë e zuri firma, në bashkëpunim me shtetin nuk e di si kanë punuar."

"Projektin e kanë bërë sipas qejfit të vet këta."

Shprehen se mungesa e një rruge lidhëse i izolon tërësisht.

"Ne na ka bllokuar brenda, nuk kemi nga të lëvizim fare."

Firma ka nisur ndërtimin e një rruge dytësore për Gjoricën, por pa dalje në rrugën e Arbrit, e në këto kushte banoret kanë paralajmëruar përshkallëzimin e protestave nëse kërkesat nuk plotësohen.

Të izoluar nga "Rruga e Arbrit", banorët e Gjoricës