Do pyeten për 8 janarin/Berisha e Basha në prokurori, sekuestrohen kamerat, dyshime për persona të armatosur

Lulzim Basha dhe Sali Berisha pritet të thirren në prokurori për hetimet që kanë nisur mbi protestën e 8 janarit. Një ditë para saj policia e shtetit ka kallëzuar mundësinë e incidenteve nga persona të armatosur ndërkohë që pas akteve të dhunës, janë pyetur disa prej deputetëve demokratë. Objekt verifikimi ka qenë grumbullimi i tyre brenda selisë, ndërkohë që hetuesit kanë sekuestruar edhe kamerat e sigurisë përreth selisë blu. Prokuroria ka kërkuar ekspertim edhe për pluhurin e bardhë të hedhur nga brenda godinës drejt protestuesve.

Lulzim Basha dhe Sali Berisha pritet të thirren si dëshmitarë në prokurori në lidhje me protestën e 8 janarit tek selia e PD.

Për këtë çështje mësohet se policia e shtetit ka referuar një material në prokurori një ditë para protestës, ku thuhej se kishte informacion për persona të armatosur brenda selisë blu dhe për akte dhune nga të dy palët.

Policia kërkonte hetim nga prokuroria duke dorëzuar edhe disa fotografi të personave të dyshuar.

Bazuar në kallëzimin e policisë, prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedim penal mëngjesin e datës 8 janar disa orë para protestës.

Pas incidenteve dhe akteve të dhunës në selinë e PD, policia e shtetiot ka ndërhyrë me efektivat e saj ndërkohë që grupi hetimor me dy prokurorët Elisabeta Imeraj dhe Eljo Mazreku dhe disa oficerë të policisë gjyqësore kanë mbërritur në vendgjarje.

Ata kanë kërkuar të marrin në pyetje të gjithë personat që janë gjetur brenda selisë së PD, ku mësohet se kanë marrë deklarimet e disa deputetëve, por jo të Lulzim Bashës dhe Grida Dumës.

Deputetët e pyetur kanë shpjeguar se atë ditë kanë shkuar në seli pasi ishin njoftuar për një takim dhe pasi kishin mbërritur në seli ka nisur protesta jashtë godinës.

Për shkak se nuk ka dhënë deklarime ditën e ngjarjes, burime të prokurorisë bënë me dije se në ditët e ardhshme do ti kërkohet dëshmia edhe Lulzim Bashës.

Ai mësohet se ruhej nga katër gardistë ditën e ngjarjes, të cilëve u është kërkuar të dorëzojnë një raport të detajuar për gjithçka ka ndodhur dhe planin që kishin për ruajtjen e kreut të PD-së.

Në pyetje pritet të merret edhe Sali Berisha dhe anëtarë të grupit të protestuesve për të sqaruar rrethanat e ngjarjes. Prokuroria ka sekuestruar kamerat e sigurisë dhe po verifikon personat që kanë hyrë e dalë nga PD, para dhe pas protestës, pasi ka dyshime se persona të armatosur kanë qenë prezent dhe janë larguar para ndërhyrjes së forcave të policisë.

Në vendngjarje mësohet se është gjetur një granatë që nuk është e policisë, ndërsa brenda PD është evidentuar një skafandër, dhe shkopa.

Hetuesit kanë kërkuar ekspertim për lëndën në formë pluhuri që është hedhur nga brenda PD, pasi me përjashtim të një kutie me spraj që po ekspertohet nuk është gjetur asnjë enë apo pajisje tjetër e që përdoret për substanca të tilla.

Në raportin e prokurorisë thuhet se brenda selisë së PD nuk ka asnjë të plagosur, ndërkohë që të lënduarit janë të gjithë nga radhët e protestuesve jashtë godinës.

Për disa nga të arrestuarit pas protestës prokuroria ka dorëzuar në gjykatë kërkesat për caktimin e masave të sigurisë, ndërsa seancat pritet të mbahen ditën e martë.