Nxirren në rrugë nga Bashkia! Tregtarët në Sarandë: Do hapim dengun para zyrës së Adrian Gurmës

5 ditë kohë u është dhënë tregtarëve të rrobave të përdorura në Sarandë për të liruar godinën që prej 10 vitesh ka shërbyer si treg, pasi i është kthyer pronarit. Në luftë për bukën e fëmijëve, ata thonë se në rast se nuk u jepet një zgjidhje, tregun do ta improvizojnë para zyrës së kryebashkiakut Adrian Gurma.

Tregu i rrobave të përdorura në Sarandë, po boshatiset.

Tregtarëve u është komunikuar nga Bashkia se kanë edhe 5 ditë të tjera kohë, për të hequr mallin e tyre.

"Mbetëm në qiell të hapur."

"Të na gjejë një vend tjetër, e ndërtojmë vetë nëse nuk ka të mbuluar."

Në këtë ambient ata u vendosën nga bashkia e Sarandës 10 vite më parë kur tregu i vjetër u shemb.

Tashmë godinës i ka dalë pronari i ligjshëm dhe tregtarët po detyrohen të dalin në rrugë.

"Do dalim në rrugë, nuk kemi ku e çojmë këtë mall."

"Mos të fshihet, të dalë dhe të flasë me popullin. Ashtu si doli për votën, të dalë dhe tani që jemi në hall."

Për ta kjo do të thotë të luajnë me bukën e gojës së fëmijëve.

"Ushqejmë familjen, jemi 12 familje. Ose të na gjejë punë."

Ndaj në rast se kryebashkiaku Adrian Gurma nuk do tu gjejë një vend të ri, atëherë tregtarët e rrobave të përdorura thonë se dendug do ta hapin para bashkisë së Sarandës.

"Do marrim thasët të shesim para Bashkisë."