Universitetet neglizhojnë Covidin?! Asnjë kontroll për vaksinimin, në auditore edhe të pavaksinuar

10 janari shënoi rikthimin e studentëve në auditore për herë të parë për vitin 2022, por ajo që ra në sy është mënyra e zbatimit të masave anti-Covid. Të rinjtë e intervistuar nga Rtv Ora, thanë se askush nuk i ka kërkuar pasaportë vaksinimi apo dokument shërimi nga Covid. Disa prej tyre thonë se kanë hyrë në mësim edhe pse janë të pavaksinuar.

Në hyrje të fakulteteve duket sikur çdo gjë funksionon siç duhet, duke kontrolluar çdo person që futet në auditore, si për maska edhe për vaksinim.

Por studentët tregojnë se askush nuk i kontrollon.

"Nuk dorëzohet asnjë letër. Unë mund ta kem të shkarkuar nga e-Albania dhe nuk kërkohet. Pedagogët nuk ndërhyjnë në këtë pjesë, është çështje administrative e Fakultetit. Pedagogu nuk bën dot rolin e  policit."

"Kur hynim tregonim kartën dhe vazhdonim."

Disa prej tyre thonë se pavarësisht se nuk e kanë marrë dozën anti-Covid dhe nuk kanë paraqitur asnjë dokument të kërkuar për pandeminë, kanë hyrë në auditore pa asnjë pengesë.

"Nuk e kam bërë vaksinën dhe besoj se nuk do ta bëj, nuk pata pengesa."

"Nuk e kam bërë dhe nuk më kanë kërkuar gjë."

Rregulli i ri i Ministrisë së Shëndetësisë për vaksinimin e administratës publike por edhe të qendrave tregtare dhe supermarketeve kërkon që punonjësit të dorëzojnë një nga dokumentet për vaksinimin, kalimin e infeksionit ose test negativ në zyrat e burimeve njerëzore, ndërsa në universitete kontrollet bëhen nga efektivi i sigurisë.

Më herët zëvendësministrja e Shëndetësisë ka deklaruar se kontrollet nuk do të mungojnë as në universitete, por të paktën në ditën e parë për vitin 2022, kjo nuk ka ndodhur.