Përçarja në PD/ Rama vë në lëvizje PS, sot takoi drejtuesit e qarqeve, nesër Kryesinë

Kryesocialisti Edi Rama nuk humbet kohë për të vënë në lëvizje strukturat e Partisë Socialiste që të mobilizohen në terren për të përfituar politikisht nga situata në të cilën ndodhet Partia Demokratike.

Partia Socialiste po shfrytëzon politikisht situatën në PD për të mobilizuar strukturat në çdo qark të vendit për të afruar të pakënaqurit e opozitës.

Një ditë pasi Kryeministri ju vetëofrua demokratëve për të zgjidhur “hallin” e tyre sëbashku, Edi Rama mblodhi në Partinë Socialiste drejtuesit e qarqeve.

Përveç përmbylljes së analizës së përgjithshme në të gjitha degët e PS për situatën e mazhorancës pas zgjedhjeve të 25 prillit, socialistët pritet të kenë edhe një detyrë tjetër, vëzhgimin e demokratëve të cilët janë të zhgënjyer nga lidershipi i Partisë Demokratike. 

Edhe pse nga njëra anë kryesocialisti kërkon të përfitojë nga përçarja në Partinë Demokratike, Edi Rama nuk lë pas dore as njerëzit e tij. 

Madje me 15 janar do të festojnë edhe 30 vjetorin e Forumit Rinor të Partisë Socialiste.

Përveç takimeve me ministrat dhe institucionet vartëse, Edi Rama të martën në mëngjes do të mbledhë në selinë e PS anëtarët e kryesisë së kësaj force politike, për të diskutuar që nga problematikat e brendshme deri tek zhvillimet e fundit politike në të cilat është futur vendi, që nga marrëdhënia e PS me opozitën deri tek fati i Presidentit.