Tërmeti i të dielës dëmtoi 6 banesa në Devoll, banori i frikësuar: Po ra dhe njëherë më zuri brenda

Lëkundjet e tërmetit të mbrëmshëm që ra në Follorinë të Greqisë, janë ndjerë më së shumti në zonën e Devollit si zonë kufitare.

Sipas të dhënave të deritanishme, ka 6 raportime për dëmtime banesash, 2 në Bilisht, 2 në fshatin Mançurisht e 2 në fshatin Shuec.

Banorët kanë njoftuar instancat lokale në lidhje me situatën.

"Çatia më ka ikur, po ra dhe njëherë më zuri brenda.Çfarë të bëj. Po rrimë përjashtë me plakën. U frikësuam shumë. Të tre dhomat janë dëmtuar. Nuk kam mundësi ti rregulloj. Nuk ka ardhur asnjeri, bëra kërkesë në bashki dhe thanë do të vijnë. Po rrimë më frikë".

Sipas komunikimit me kryetarin e bashkisë, Eduart Duro, grupet e emergjencave civile kanë nisur verifikimin në terren për rastet e raportuara.

Paraprakisht thuhet se banesat për të cilat janë bërë raportime për dëmtime janë banesa të vjetra dhe të amortizuara, të cilat kanë patur probleme edhe më parë.

Megjithatë në fund të verifikimeve do të vendoset nëse kemi të bëjmë me dëmtime serioze nga tërmeti, nëse banesat janë të banueshme ose jo, e më pas do të merren masa për ndërhyrje.