"Nuk e pinë as lopët", banorët e Postribës i zënë derën Ujësjellësit të Shkodrës për ndotjen e ujit

Banorët e Postribës protestuan në Shkodër për ndotjen e ujit të pijshëm, për çka akuzojnë një gurore në zonë. Drejtori i Ujësjellësit, u ka premtuar se në pranverë do të nisë një ndërhyrje për të ndarë ujin e burimit nga përroi.

Me bidonë që tregojnë ujin e ndotur që u shkon në çezma e pankarta ku u kërkojnë institucioneve të ndërhyjnë, banorët e Postribës dolën sërish në protestë.

"Thonë është i pijshëm por këtë se pinë lopët jo më njerëzit. Kafshët i bëjnë bisht që mos ta pinë" thotë një banor teksa tregon shishen me ujë që duket terësisht i turbullt.

Para drejtorisë së Ujësjellësit përsëritën se shkaktare për këtë situatë është një gurore që ushtron veprimtari me leje pranë Ujësjellësit.

Drejtori i Ujësjellësit e pranoi problematikën, por banorët duhet të presin deri në pranverë që ajo të marrë zgjidhje.

"Pata një takim me administratorin dhe një përfaqësi të banorëve të Postribës. Aty ka një problem që bashkohen ujërat e përroit me burimin, kemi inspektuar situatën në terren. Do të bëjmë të mundur një zgjidhje teknike që uji i burimit të ndahet nga uji i përroit. Drejtoria e Ujësjellës Kanalizimëeve nuk jep leje për gurore, as lëndë drusore, as për aktivitete të ndryshme, shohim vetëm Ujësjellësin. Ka nevojë për shumë ndërhyrje në të gjithë njësitë administrative që mbulon Bashkia Shkodër. Ndarja e ujit në pranverë zgjidh përfundimisht problemin. Ujësjellësi është ndërtuar në vitet '74-'75, janë bërë ndërhyrje të tjera por nuk është parë me themel zgjidhja teknike që duhet me i dhënë ujit të burimit" tha ai për mediat.

Marrëveshjen e konfirmuan dhe banorët edhe pse një pjesë e tyre janë skeptikë për zgjidhjen për shkak se këtë problem e vuajnë në kurriz prej vitesh.

Zgjidhja ngulmojnë se është largimi i gurores. Thonë se në rast se do ti genjejnë, atëherë Postriba do të ngrihet sërish në revoltë.

"Ky është uji që pijmë këtu dhe 8 muaj prej një deklarate që ka bërë ky zotëria këtu që thotë Ujësjellësi është 2 km kur ai nuk është mbi 100 metër largësi ku punojnë ata me çekiç. Duam të ndërhyjë prokuroria, ndryshe shkojmë në SPAK. Nëse dhe SPAK nuk bën gjë do ta çojmë deri në Strasburg. Nuk durojmë më, ky është fundi, nuk ka më tolerime. Nga takimi 30% jemi dakord se nuk varet prej tij, duhen hequr gurët prej andej patjetër".

"Bëmë takim me drejtorin e Ujësjellësit ku i thamë problemet tona. Drejtori dje ka bërë verifikimet në vend dhe tha se nuk do të ketë asnjë punim afër burimit të Ujësjellësit sa i përket gërmimeve në përrua dhe hedhjes së inerteve. Me shterimin e përroit të Rasekut do të bëhet ndarja e burimit të ujit nga uji i përroit. Kjo ndarje do jetë zgjidhje për ujin, çështjet e inerteve dhe gurëve u takojnë institucioneve dhe u bëj thirrje të marrin masa."

"Jam imami i xhamisë së Dragoçit, kam ardhur në emër të zonës time për këtë shqetësim shumë të madh. Shqetësimi është i madh në zonë, ka kohë të gjatë që uji është i papijshëm dhe i papërshtatshëm as për tu larë. Besoj që Drejtori i Ujësjellësit do ta zgjidhë situatën gjatë pranverës, nëse e mban fjalën Zoti e nderoftë përndryshe ne si Postribë do të na ketë fuqishëm këtu. Kjo është e drejta më minimale. Kemi gjetur një marrëveshje dhe do të shkojmë në shtëpitë tona me shpresën se institucioni do ta zgjidhë këtë çështje".

"Aty bëhet një katastrofë, gurorja sipër hedh gjithë mbeturinat mbi burimin. Drejtorit i kemi bërë thirrje para 3 viteve. I bëjmë thirrje çdo ministrie të heqë guroren. Marrëveshja me drejtorin nuk zgjidh punë në rast se Ujësjellësit nuk i vendosen filtra, nuk zhbllokohet prej inerteve dhe në rast se gurorja nuk hiqet nga aty."

Janë 6 fshatra në zonën e Postribës që preken nga ndotja e ujit.