Biblioteka Kombëtare e pasigurtë, nuk ka asnjë investim për mbrojtjen nga zjarri apo nga përmbytjet

Biblioteka Kombëtare vijon të jetë ende e rrezikuar nga fatkeqësitë natyrore.

Edhe pas zjarrit të rënë dhe përmbytjet që përfshinë godinën e këtij institucioni, në vitin 2017 dhe 2018 nuk është marrë asnjë masë për parandalimin e këtyre fatkeqësive.

Ky është rezultati i auditimit të kryer nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në lidhje me efektivitetin e aktivitetit të Bibliotekës Kombëtare deri në 2020.

Në material ka rezultuar se fondet për këtë qëllim janë ulur ndër vite dhe ka mungesë totale të investimeve të kërkuara.

Konkretisht në vitin 2018 Ministria e Kulturës kishte alokuar 102.459 mijë lekë, duke zbritur në 99.894 mijë lekë në 2020.

Raporti cilëson faktin se fondet janë dhënë vetëm për rastet e emergjencave.

Problematikë e KLSH-së është dhe ruajtja e botimeve pasi hapësira në dispiozicion është e vogël.

Kjo godinë rezulton se ka një hapësirë prej 1560 metra katrorë ndërkohë që nevojitet një sipërfaqe prej 12 000 metra katrorë.

Mungesë hapësirash ka dhe për personelin, lexuesit dhe mjediset higjieno-sanitare.

Gjhithashtu nga auditimi është konstatuar gjithashtu se në sallat ku janë vendosur materialet pajisjet për mbrojtjen nga zjarri nuk plotësojnë normat e sigurisë teknike dhe sistemi elektronik i sigurisë fizike është jashtë funksioni që nga rënia e zjarrit në 2017.

Por skandali shkon edhe më tej, ku KLSH ka evidentuar faktin se kjo godinë nuk ka ende një status pronësie dhe se ka pasaktësi në raportet e inventarizimit.

Ndër të tjera thuhet se Biblioteka Kombëtare po kryen funksione të një biblioteke publike për kryeqytetin pasi qyteti i Tiranës nuk e ka një të tillë.

"Të gjitha këto problematika dhe mungesa të kapaciteteve njerëzore dhe hapësirave kanë sjellë joefikasitet në aktivitetin e Bibliotekës Kombëtare", thuhet në raportin e KLSH-së.