Rrëfimi rrëqethës i turistes që i mbijetoi borës dhe acarit: Pash vdekjen me sytë e mi
Të paktën 21 persona kanë vdekur pasi bora e madhe i ka bllokuar në automjetet e tyre në veri të Pakistanit.
Rrëfimi i turistes e cila u bllokua për orë të tëra në makinë është rrëqethës. Ajo ka përshkruar për BBC se si "pa vdekjen me sy" ndërsa po priste për ndihmë.
Samina tha se ishte larguar nga shtëpia e saj në orën 16:00 me kohën lokale për të udhëtuar në Murree, por shpejt e gjeti veten mes të bllokuarve në dëborë.
Fotot dhe videot e postuara në mediet sociale treguan makinat e bllokuara parakolp për parakolp, me borë të grumbulluar në çatitë e tyre.
“Po shihja vdekjen para syve të mi. Nuk mund ta shpjegoj me fjalë se çfarë kalova. Ne po luteshim që Zoti të na ndihmonte dhe të mos vdisnim në stuhinë e dëborës."
Për fat të mirë Samina u shpëtua në orën 10:00 të mëngjesit të nesërm, duke kaluar natën në një nga strehëzat e ngritura në qytetin turistik, i cili ndodhet në 2300 metra (7500 këmbë) mbi nivelin e detit.
Në mesin e viktimave ishin 10 fëmijë, njoftuan shërbimet e urgjencës, si dhe dy familje me pesë dhe tetë anëtarë. Autoritetet thanë se tetë persona ngrinë deri në vdekje nga i ftohti.

