Franca do të ndihmojë Shkupin, ambasadorja: Të zgjidhet çështja e integrimit për Ballkanin Perëndimor

Ambasadorja franceze në Bullgari ka deklaruar se Franca gjatë 6-mujorit të Presidencës së BE-së do të fokusohet realisht në Ballkanin Perëndimor duke zgjidhur mosmarrëveshjet e Sofjes dhe të Shkupit.

Ambasadorja franceze në Bullgari, Florence Robin deklaroi se Franca gjatë mandatit të Presidencës së BE-së do të ndihmojë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Sofjes dhe Shkupit.

Ambasadorja Robin deklaroi gjatë një interviste se Franca gjatë këtij 6 mujori do ta ketë në fokus Ballkanin Perëndimor.

Çështja e zgjerimit të BE-së me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë është jashtëzakonisht e rëndësishme për Francën deklaroi Robin.

Florence Robin deklaroi se ka konteste mes Sofjes dhe Shkupit dhe shfaqi bindjen se me vullnet të mirë dhe përmes diskutimeve në të mirë të të drejtave të ndërsjella të qytetarëve do të tejkalohet çdo sfidë.

Kryeministri bullgar, Kiril Petkov do të vizitojë Shkupin në 18 janar. Përpara kësaj, Petkov ka deklaruar se e vlerëson fqinjësinë e mirë me Maqedoninë e Veriut, duke lënë të kuptohet se qasja e Bullgarisë do të ndryshojë ndaj qeverisë së re të Kovaçevskit dhe se ka sinjale pozitive se Sofja mund ta heqë veton për Maqedoninë e Veriut, duke i hapur kësaj të fundit rrugën drejt integrimit evropian.

Të dy vendet pritet të dialogojnë në komisione të posaçme për të zgjidhur mosmarrëveshjet për çështjen e historisë dhe gjuhës.