‘Grusht shteti’ në Kazakistan, presidenti: Pati tentativë për marrje pushteti

Presidenti i Kazakistanit Kasëm Jomart Tokajev deklaroi të hënën se protestat masive dhe trazirat ishin një përpjekje për grusht shteti.

Tokajev tha se mbrapa trazirave qëndronin militantë të armatosur që donin të merrnin pushtetin.

"Protestuesve iu bashkuan militantë të armatosur që prisnin nëpër krahë. Qëllimi kryesor u dallua qartë, cenimi i rendit kushtetues, shkatërrimi i institucioneve qeverisësve dhe marrja e pushtetit. Pra ishte një tentativë për grusht shteti."

Presidenti kazak tha gjithashtu se forcat e sigurisë nuk do të qëllonin kurrë mbi protestuesit paqësorë.

Protestat masive në Kazakistan nisën pas kushteve të këqija socio-ekonomike dhe shtrenjtimin e çmimit të karburantit edhe pse vendi është i pasur me naftë.

Ditët e fundit, janë arrestuar disa zyrtarë të lartë për tradhti ndaj kombit, midis tyre edhe ish-kreu i Komitetit për Sigurinë Kombëtare, Karim Masimov.

Ngjarjet e ditëve, po hedhin dritë mbi një përplasje mes zyrtarësh e më konkretisht mes Administratës aktuale dhe mbështetësve të ish-presidentit Nursultan Nazarbaev.