Dodik sfidon amerikanët, Republika Srpska feston 30-vjetorin e themelimit

Republika Srpska ka festuar 30-vjetorin e themelimit edhe pse Gjykata Kushtetuese e Bosnje Hercegovinës e shpalli 9-janarin antikushtetues, e cila u mbështet dhe nga Ambasada amerikane në Sarajevë, por anëtari serb i presidencës boshnjake tha se askush nuk vendos përpara vullnetit të popullit.

Serbët e Bosnje Hercegovinës kanë festuar të dielën themelimin e Republika Srpspkas në 9 janar 1992.

Ky 30-vjetor i Republika Srpska mbahet ndërsa vendi po kalon një krizë të thellë politike.

Anëtari serb i Presidencës boshnjake, Milorad Dodik tha se Republika Srpska po lufton për të ruajtur atë që fuqitë e mëdha i njohën pas përfundimit të luftës.

“Në 30 vjetorin e saj, Republika Srpska po lufton për të ruajtur atë që fuqitë e mëdha i njohën pas përfundimit të luftës civile në Bosnje-Hercegovinë. Qëllimi ynë është të ndërtojmë një shtet popullor, duke mos ndikuar komunitetet e tjera që jetojnë në Republika Srpska.”

Sulmet ndaj Dodik kanë qenë të vazhdueshme nga ndërkombëtarët duke e akuzuar se po minon institucionet e Bosnje Hercegovinës.

Lidhur me këtë, Dodik i cili është i shpallur ‘non grata’ nga SHBA, tha se nuk është Republika Srpska ajo që po shkatërron Bosnje Hercegovinën duke sulmuar sërish ndërkombëtarët.

“Nuk është Republika Srpska ajo që po shkatërron Bosnje-Hercegovinën, por ata që po shkatërrojnë kushtetutën. Kjo po bëhet kryesisht nga vendet perëndimore që janë pozicionuar në anën e myslimanëve këtu. Më duhet ta them hapur sot, se gjatë gjithë këtyre viteve, Amerika, Britania e Madhe dhe shtete të tjera të BE-së kanë punuar kundër Republika Srpska.”

Raportet e Dodik me Shtetet e Bashkuara kanë qenë të ndezura kohët e fundit. Gjatë kësaj jave, ndaj anëtarit serb të Presidencës boshnjake u vunë sanksione nga Departamenti amerikan i Shtetit.

Gjykata Kushtetuese boshnjake e shpalli antikushtetues 9 janarin, ditën e themelimit të Republika Srpskas.

Po ashtu Ambasada amerikane në Sarajevë tha se 9 janari është antikushtetues.