Samiti amerikano-rus, palët gati për takim në Gjenevë por nuk tërhiqen nga qëndrimet zyrtare

Amerikanët dhe rusët pritet të takohen javës tjetër në Gjenevë për të zhvilluar diskutime sa i përket problemeve të fundit në rang botëror. Si amerikanët, po ashtu edhe rusët, vetëm pak ditë përpara takimit, nuk tërhiqen nga qëndrimet e tyre zyrtare.

Tensionet e larta në pjesë të ndryshme të botës pritet të jenë temë e bisedimeve mes amerikanëve dhe rusëve javën tjetër në Gjenevë.

Rusia ka përjashtuar çdo lëshim në bisedimet me amerikanët sa i përket Ukrainës. Moska kërkon një marrëveshje të re sigurie me Perëndimin, por përballet me presion të fortë për të tërhequr trupat nga kufiri ukrainas.

Zëvendësministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov u tha agjencive ruse të lajmeve se Kremlini ishte "i zhgënjyer" me sinjalet që vinin si nga Uashingtoni ashtu edhe nga Brukseli. Kremlini këmbëngul se NATO nuk duhet ta anëtarësojë Ukrainën në aleancë.

Shtetet e Bashkuara, të përfaqësuara nga Zëvendës Sekretarja e Shtetit, Wendy Sherman, ranë dakord për bisedime. Më herët, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i ka hedhur poshtë kërkesat e Moskës si dhe ka këmbëngulur se bisedimet nuk do të sjellin përparim për sa kohë që Rusia ka ushtrinë në kufijtë e Ukrainës.

“Ne jemi të përgatitur t'i përgjigjemi me forcë agresionit rus. Por një zgjidhje diplomatike është ende e mundur dhe e preferueshme nëse Rusia bën këtë zgjedhje”, tha Blinkeni.

Ndërkohë, po në Gjenevë, presidenti amerikan Joe Biden dhe homologu rus Vladimir Putin u takuan në Gjenevë në qershor të vitit të shkuar dhe ranë dakord për bisedime të rregullta "stabiliteti".

Amerikanët ndërkaq kanë paralajmëruar për pasoja të rënda nëse Rusia pushton Ukrainën. Takimin e ka përshëndetur edhe shefi i NATO-s Jens Stoltenberg, ndërsa ka folur edhe për rreziqe reale të një pushtimi rus të Ukrainës.

Për John Herbst, ish-ambasador amerikan në Ukrainë, grumbullimi i trupave ruse në kufi është "bllof gjigant" nga Putini, i cili kërkon të negociojë një marrëveshje me Amerikën.