Ukraina, SHBA paralajmëron Moskën para bisedimeve: Nëse zgjedh luftën, do të ketë pasoja ekstreme

Këtë të hënë, në Gjenevë nisin bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, në përpjekje për të zbutur krizën në Ukrainë. 

Në prag të takimit, sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken paralajmëroi Moskën për "rreziqet e një konfrontimi", nëse dialogu dhe diplomacia dështojnë. 

Blinken më pas përsëriti se në rast të një konfrontimi dhe agresioni kundër Ukrainës, Rusia do të përballet me "pasoja të mëdha".

Edhe përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell u shpreh se "dialogu është i domosdoshëm, por po ashtu edhe parandalimi dhe vendosmëria përmes mbështetjes së fortë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Çdo agresion i mëtejshëm kundër Ukrainës do të ketë pasoja të mëdha dhe kosto serioze për Rusinë. Ne jemi duke e koordinuar nga afër qasjen tonë me partnerë transatlantikë dhe partnerë të tjerë me të njëjtin mendim. Nuk ka siguri në Evropë pa sigurinë e Ukrainës”.

"Asgjë nuk do të diskutohet për sigurinë në Evropë pa evropianët. Ne kemi rënë dakord me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë që këto diskutime do të vazhdojnë në koordinim dhe me pjesëmarrjen e BE-së. Për më tepër, nuk duhet të ketë kufi për pavarësinë e Ukrainës apo të drejtën e saj për të përcaktuar zgjedhjet e saj të politikës së jashtme. Dhe, natyrisht, çdo diskutim për Ukrainën duhet të kërkojë që Ukraina të jetë në tryezë", vazhdoi ai. 

"Ukraina mund të jetë e sigurt se ne do të vazhdojmë ta mbështesim atë politikisht, diplomatikisht dhe ekonomikisht" përfundoi ai.