Beteja për selinë blu, Olli: Sot është momenti për të ndalur privatizimin e një force politike
Pas më shumë se tre orësh protestë dhe tentativash për t’u futur brenda saj, selia e Partisë Demokratike u kthye në arenë dhune mes vetë demokratëve ditën e djeshme, 8 janar. Mbështetësit e Berishës hapën portën kryesore, por nuk hynë dot në seli. Basha kërkoi ndihmën e institucioneve për të shpërndarë protestuesit, policia nuk kurseu gazin lotsjellës as ndaj gazetarëve dhe operatorëve.
Gazetari Leonard Olli në një lidhje të drejtpërdrejtë në RTV Ora me gazetaren Kostana Morava u shpreh se jo thjesht godina e selisë së PD, por edhe elementë të tjerë humbin normalitetin e simbolikën kur keqpërdoren dhe keqtrajtohen.
Olli: Ajo që është tmerrësisht e trishtë është se pamjet që ofroi dje media, ishin momente shumë të dhimbshme të shihja se si demokratët deri dje kanë luftuar në një llogore kundër abuzimit të pushtetit, kundër trajtimeve çnjerëzore që kanë pasur në raport me të drejtat e njeriut, dje kishin kthyer të gjithë potencialin e tyre drejt një përballje me njëri-tjetrin. Është tmerrësisht e trishtë sepse ka një pyetje: për çfarë? Basha thotë "unë po blindoj godinën sepse dua ta mbroj." Nga kush do ta mbrojë? Nëse në godinë nuk do kishte pasur asnjë punim shtesë godina do ishte e hapur. Unë besoj se nuk do kishte pasur nevojë të kishte akte të dhunshme.
Gazetari u shpreh se dhuna nga të dyja palët nuk justifikohet.
Olli: Kur dëgjoj palët që në vend t'i shtrijnë dorën njëri-tjetrit, veçse ngrenë stekën e akuzave kundrejt njëri-tjetrit dhe çuditem me zotin Basha që ka qenë bashkëpunëtori më i afërt i zotit Berisha dhe nuk e paska njohur deri sot. Nga ana tjetër ajo që është shumë problematike është fakti që këta njerëz tashmë kanë hyrë në një moment pa kthim pas sepse pjesa emocionale, pjesa e reagimit dhe ndjesive që provon kur shkon te ajo që deri dje ka qenë shtëpia jote, është shumë e vështirë për tu kapërcyer. Në partitë tona gjithë dhuna vjen si pasojë e një faktori të vetëm, i mos dëshirës për të pranuar mendimin ndryshe, një opinion ndryshe. Sot është momenti për të ndalur privatizimin e një force politike sepse nesër mund të jetë vonë.
Sipas tij vendi ka disa vite pa opozitë pasi politikat aventuriere të Bashës fillimisht e nxorën PD institucionalisht nga Parlamenti, më pas e çuan drejt një vetëvrasjeje nëpërmjet braktisjes së zgjedhjeve vendore.
Intervistoi Kostana Morava, përgatiti Xhuljana Zhuleku
