Basha: Berisha dështoi me turp, bashkë me Ramën duan të harrohet afera e incineratorëve

Protestën e 8 Janarit të udhëhequr nga Sali Berisha, Lulzim Basha e sheh të ngjashme me atë të 21 Janarit të vitit 2011. Pikërisht këto dy demonstrata dhe dhuna e përdorur në to, ai thotë se e ndajnë nga Rama e Berisha.

"Këtu janë njësoj të ngjashëm dhe këtu unë ndahem nga të dy. Sali Berisha dhe Edi Rama janë lidhur nga një binom. Sali Berisha i shpallur tashmë "non grata" dhe tjetri me të gjitha rekordet për tu shpallur "non grata", tha Basha.

Nga korridoret e selisë, ku ende janë të freskëta gjurmët e protestës së të shtunës, Basha tha se ish-kryetari dështoi me turp ta përdorte Partinë Demokratike si bunker të tijin.

"Nuk u derdh gjak, ashtu siç dëshiron dhe siç kishte planifikuar Sali Berisha me një grup kriminelësh duke abuzuar dhe me ata qindra demokratë të manipuluar të cilët i thirri për t'i përdorur si fasadë," tha Basha.

Duke iu përgjigjur akuzave të Berishës, ai u shpreh se nga mbështetësit e tij nuk u përdor gaz lotsjellës por vetëm bombolat e shuarjes së zjarreve.

"Distancohem nga çdo akt dhune që është kryer nga një grusht banditësh të sjellë nga Sali Berisha. E vetmja gjë që ne kishim në dispozicion për tu mbrojtur ishin bombola zjarrfikëse," tha Basha.

Qëllimi i Ramës, Berishës dhe oligarkëve tha Basha është të largojnë vëmendjen nga problemet që shqetësojnë shqiptarët.

"Kërcejnë së bashku vallen e napolonit mbi rrënojat që Sali Berisha ka lënë prapa ditën e djeshme që të harrohet dhe mos ndiqet afera e incineratorëve ku është brenda vetë apo afera e Becchetti, apo afera e vjedhjes së të dhënave të qytetarëve," tha Basha.

Nga selia blu, Lulzim Basha u shpreh i vendosur që ta çojë betejën e ndryshimit deri në fund, nga gërmadhat do të ringrejë Partinë Demokratike dhe do të ndërtojë shpresën.