"Lamtumirë miku im" Duka reagon për ndarjen nga jeta të Presidentit të KF Elbasanit: Energjia e tij do t'i mungojë futbollit
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka reaguar në lidhje me ndarjen nga jeta të Presidentit të KF Elbasanit, Arben Laze.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Duka shkruan se energjia e presidentit të ndjerë do t'i mungojë komunitetit të futbollit.
Mes rreshtash Duka shprehet i pikëlluar për ndarjen nga jeta të Arben Laze, duke theksuar kontributin e madh që ai ka bërë për futbollin shqiptar.
Postimi i plotë në Facebook:
"Pak orë më parë mora lajmin e rëndë se miku im i mirë, Presidenti i Elbasanit që ai e deshi aq shumë, Arben Laze, u nda nga ne.
Është e vështirë dhe tani për mua ta besoj dhe të shkruaj këto fjalë për një njeri të mirë, plot humor dhe optimizëm, që kontribuoi aq shumë për futbollin shqiptar.
Beni ishte një mik i të gjithëve ne, një njeri që nuk hiqte dorë lehtë nga përgjegjësitë dhe sfidat. Energjia e tij do t'i mungojë komunitetit të futbollit.
Në këtë moment të vështirë për familjen e tij, miqtë e tij të shumtë, lutemi që shpirti i tij të prehet në paqe.
Lamtumirë miku im, do më mungosh!"
