Krimet alarmojnë policinë, Gledis Nano ultimatum vartësve, 4 porositë
Ngjarjet kriminale të ndodhura në ditët e para të vitit 2022 por edhe numri i lartë i aksidenteve rrugore duket se kanë prishur qetësinë e policisë.
Drejtori i përgjithshëm Gledis Nano ka thirrur në një takim urgjent të gjithë drejtuesit e drejtorive ku në fokus ka qenë marrja e masave për parandalimin e ngjarjeve, kapjen e personave në kërkim dhe të atyre që qarkullojnë me armë zjarri.
Pjesë e porosive ishte edhe thellimi i veprimeve hetimore, duke bashkëpunuar me agjencitë ligjzbatuese, me qëllim zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Kreu i policisë Gledis Nano u tha vartësve që të kenë bashkëpunim dhe koordinim më të mirë mes strukturave policore që operojnë në pikat e kalimit kufitar, ato në terren e me shërbimet inteligjente, për marrjen në kohë të informacioneve për personat me precedent kriminal që kthehen nga jashtë shtetit dhe mbajtjen nën kontroll të tyre, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale.
Kreu i policisë ka dhënë ultimatum ndaj vartësve edhe për intensifikimin e kontrolleve në territor, për parandalimin dhe goditjen e çdo paligjshmërie dhe bllokimin e automjeteve të vjedhura.
Një tjetër porosi është dhënë për kontrolle e monitorim në varreza makinash e servise ku mbahen të fshehura makinat e vejdhura, që më pas përdoren në ngjarje kriminale.
Vetëm në ditët e para të janarit 2022, një person ka mbetur i vrarë, 6 të tjerë janë plagosur me armë zjarri në 3 qytete si një makinë iu vendos një sasi tritoli në Vlorë. Në aksidentet rrugore janë shënuar tri viktima dhe të paktën 20 të plagosur.
Porositë
Gjatë muajit janar, në të gjitha drejtoritë do të zhvillohen analizat vjetore dhe për këtë Drejtori ka kërkuar nga drejtuesit e DVP-ve, që të nxirren problematikat, me qëllim marrjen e masve për t’i zgjidhur ato.
-Thellimi i veprimeve hetimore, duke bashkëpunuar me agjencitë ligjzbatuese, me qëllim zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
-Bashkëpunim dhe koordinim më të mirë mes strukturave policore që operojnë në pikat e kalimit kufitar, ato në terren e me shërbimet inteligjente, për marrjen në kohë të informacioneve për personat me precedent kriminal që kthehen nga jashtë shtetit dhe mbajtjen nën kontroll të tyre, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale.
-Intensifikimi i kontrolleve në territor, për parandalimin dhe goditjen e çdo paligjshmërie, bllokimin e automjeteve të vjedhura, kontrolle në varreza makinash e servise makinash ku mbahen të fshehura apo çohen makinat e vejdhura, që më pas bëhen pjesë e ngjarjeve kriminale.
-Parandalimi i aksidenteve rrugore, duke intensifikuar kontrollet me makinën inteligjente, me radarët, mjete e paloguara, ndëshkimin e shkelësve të Kodit Rrugor, duke filluar menjëherë edhe me këmbësorët që nuk zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor.
443 kursantë të rinj
Sot fillojnë në terren 443 kursantë të rinj, për të cilët Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit kërkoi nga drejtorët vendorë, që t’i përkrahin dhe t’i motivojnë për të kontribuuar sadopak në përmirësimin e mëtejshëm të performancës së Policisë së Shtetit.
