Studim: Gratë kanë 32% më shumë gjasa të vdesin nëse operohen nga kirurg mashkull
Sipas një studimi, gratë që operohen nga një kirurg burrë kanë më shumë gjasa të vdesin, të përjetojnë komplikime, ose të shtrohen sërish në spital, sesa kur operohen nga një kirurge femër.
Gratë janë 15% më të prirura për të pësuar një rezultat të keq dhe kanë 32% më shumë gjasa të vdesin, nëse një burrë (e jo një grua) kryen operacionin, thotë studimi.
"Në kampionin tonë prej 1.3 milionë pacientësh që përfshinin afro 3000 kirurgë, zbuluam se pacientet gra të trajtuara nga kirurgë meshkuj kishin 15% shanse më shumë për rezultate të këqija sesa pacientet femra të trajtuara nga kirurge gra," tha Dr Angela Jerath, një profesoreshë e asociuar dhe epidemiologe klinike në Universitetin e Torontos në Kanada.
Gjetjet e studimit janë publikuar në revistën mjekësore "JAMA Surgery", shkruan The Guardian.
Ndër të tjera profesoresha shtoi: “Këto rezultate janë shqetësuese sepse nuk duhet të ketë dallime gjinore në fushën e mjekësisë. Por në një nivel makro, rezultatet janë shqetësuese. Kur një kirurge femër operon, rezultatet e pacientit janë përgjithësisht më të mira, veçanërisht për gratë."
Jerath dhe kolegët e saj analizuan të dhënat e 1,320,108 pacientëve në Ontario, të cilët iu nënshtruan 21 procedurave të zakonshme kirurgjikale të kryera nga 2,937 kirurgë ndërmjet viteve 2007 dhe 2019.
Operacionet varionin nga zëvendësimet e ijeve dhe gjurit dhe operacioni për humbje peshe deri te heqja e apandesitit, ose ndërhyrje më të komplikuara, të tilla si bypass-i i zemrës dhe operacioni në tru.
