OBSH: Omicron shkakton simptoma më të lehta se variantet e mëparshme
Studimet e fundit tregojnë se varianti Omicron i koronavirusit ndikon në traktin e sipërm respirator, duke shkaktuar simptoma më të buta se variantet e mëparshme, tha sot një zyrtar i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
“Ne shohim se gjithnjë e më shumë studimet tregojnë se Omicron infekton pjesën e sipërme të trupit. Ndryshe nga variantet e tjera, të cilat mund të shkaktojnë pneumoni të rëndë," tha Abdi Mahamoud, drejtori i shërbimeve të urgjencës me bazë në Gjenevë, duke theksuar se ky është " një lajm i mirë".
Megjithatë, ai shtoi se transmetueshmëria e lartë e Omicron do të thotë se varianti do të përhapet brenda pak javësh në shumë vende.
I pyetur nëse është nevoja për një vaksinë posaçërisht për Omicron, Mahamoud tha se është shumë herët për të thënë një gjë të tillë, por theksoi se ky vendim kërkon koordinim global dhe nuk duhet t'i lihet sektorit tregtar që të vendosë vetë./Ora News/


