Tronditet Tirana, breshëri drejt lokalit, 1 i vdekur dhe 4 të plagosur në këmbë, bark, shpatulla dhe fytyrë
Tirana është tronditur këto ditë të para të vitit 2022, ku në zonën e “Don Boskos” është shtënë me armë dhe për pasojë ka vdekur 1 person dhe 4 të tjerë janë plagosur.
Ngjarja ndodhi rreth orës 16:15 në ambientet e një lokali dyshohet se është qëlluar me armë zjarri nga jashtë, në drejtim të një tavoline ku ishin ulur pesë shtetasit.
Fatkeqësisht viktima Erion Çela ka mbetur i vrarë në vend si pasojë e të shtënave që dyshohet se kanë ardhur nga armë të tipit Kallashnikov.
Ndërkohë, janë plagosur në këmbë Arben Dani 46 vjeç, ndërsa Azbi Selimaj 19 vjeç është plagosur në shpatull.
Blerim Çela, 28 vjeç, i vëllai i viktimës është plagosur në këmben e djathtë dhe në fytyrë nga plumbat, ndërsa Edmond Crroj 41 vjeç është plagosur në këmbë dhe bark.
“Më datë 04.01.2022, rreth orës 16:15, në "Don Bosko", në ambientet e një lokali dyshohet se është qëlluar me armë zjarri nga jashtë, në drejtim të një tavoline ku ishin ulur pesë shtetas. Si pasojë e të shtënave, shtetasi E. Ç., 35 vjeç ka humbur jetën, dhe janë plagosur shtetasit A. D., 46 vjeç, A. S., 19 vjeç, B. Ç., 28 vjeç dhe E. C., 41 vjeç.” – njofton policia.
Policia ka ngritur pika kontrolli në të gjitha pikat hyrëse-dalëse të Tiranës dhe në brendësi të lagjeve ku dyshohet se janë larguar personat, të cilët pasi kanë qëlluar me armë zjarri, janë larguar me një automjet tip "Mercedes-Benz".
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

