Breshëri plumbash në drejtim të lokalit në "Don Bosko", autorët u larguan me "Benz" drejt Laprakës

Një 35-vjeçar mbeti i vrarë si pasojë e sulmit me armë në lokal në rrugën "Don Bosko" në Tiranë. Nga atentati mbetën të plagosur edhe katër persona të tjerë përfshirë vëllain dhe dajën e viktimës. Mes pesë personave që ndodheshin së bashku në tavolinë, me precedent penal në Itali rezulton vetëm Edmond Crroj, i akuzuar për trafik droge. Autorët lëvizën me një mjet tip "Benz" me targa të vjedhura që u largua drejt Laprakës.

Një masakër e vërtetë me armë zjarri ndodhi në zonën e rrugës "Don Bosko" në Tiranë pasditen e të martës me pasojë vrasjen e një personi dhe plagosjen e katër të tjerëve.

Policia tha se rreth orës 16.15, nga një automjet është qëlluar me armë në drejtim të tavolinës ku ishin ulur pesë personat brenda në lokal.

Sipas informacionit zyrtar paraprak, i vrarë ka mbetur Erion Çela, 35-vjeç, ndërkohë që është plagosur edhe vëllai i tij Blerim Çela, 28 vjeç i cili është prekur nga plumbat në fytyrë dhe në këmbën e djathtë.

Të plagosur kanë mbetur edhe Arben Dani, 46 vjeç, i dëmtuar nga plumbat në këmbë, Azbi Selimaj, 19 vjeç i dëmtuar në shpatull dhe Edmond Crroj 41 vjeç, i cili ka mbetur plagosur në bark dhe këmbë. Ky i fundit është daja i viktimës së atentatit, ndërkohë që është i njohur edhe me emrin Adriatik Crroj, me precedent penal për trafik droge në Itali.

19-vjeçari i plagosur Azbi Selimaj punon si kamarier por në momentin e sulmit mësohet se ka qenë në tavolinë me vëllezërit Erion dhe Blerim Çela.

Për viktimën dhe vëllain e plagosur policia ka thënë se nuk kanë precedent penalë ndaj duket se do të jetë i vështirë edhe përcaktimi i një piste në lidhje me shkakun e krimit.

Para dhe pas sulmit, autorët kanë lëvizur me një automjet "Benz C Clas" me ngjyrë të zezë, me targa AA 125 UK të cilat rezultojnë të vjedhura pasi i përkasin një automjeti tip "Smart" që nuk ka lidhje me ngjarjen. Mjeti i autorëve rezulton se është larguar drejt Laprakës duke humbur gjurmët ndërkohë që shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli në të gjitha pikat hyrëse-dalëse të Tiranës dhe në brendësi të lagjeve por pa arritur arrestimin e atentatorëve.