Shpallet në kërkim për vrasje Lul Berisha, u lirua se do të punonte në bashkinë e Durrësit

Ish kreu i bandës së Durrësit Lulzim Berisha është rishpallur në kërkim nga prokuroria. Vendimi që mësohet se është firmosur në dhjetor, bazohet në verdiktin e gjykatës së lartë e cila anuloi lirimin me kusht. Krahas kërkimit për dosjen e tij të parë, Lul Berisha akuzohet edhe nga SPAK për bashkëpunim në vrasjet e Klodian Saliut dhe Vajdin Lames.

Prokuroria e Durrësit, ka vendosur të shpallë në kërkim Lulzim Berishën, vetëm pak kohë pasi Gjykata e Lartë, rrëzoi vendimin për lirimin e tij me kusht.

I dënuari me 25 vite burgim për akuzën e “Vrasjes me paramendim” të kryer në kuadër të “Grupit të Strukturuar Kriminal” dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve të zjarrit”, tashmë është kthyer në objekt kërkimesh nga policia.

Burime nga prokuroria thanë se shpallja në kërkim e Lulzim Berishës, është bërë në mes të muajit dhjetor 2021, ku pas dyshimeve mbi vendndodhjen e tij i kërkohet ndihmë autoriteteve të huaja, për lokalizimin dhe arrestimin e të dënuarit.

I akuzuari si kreu i bandës së Durrësit, Lulzim Berisha u lirua me kusht në 5 dhjetor 2016, pas një vendimi të komplikuar të Gjykatës së Apelit Durrës, sipas të cilit ai përfitonte lirim të parakohshëm pasi kishte shlyer ¾ e dënimit prej 25 vitesh burg dhënë nga Gjykata e Lartë.

Por në 7 dhjetor 2021, Gjykata e Lartë, prishi vendimin e Gjykatës së Apelit Durrës, që i fali Lulzim Berishës më shumë se 6 vite burg, bazuar edhe në një dokument punësimi të lëshuar nga ish-kryebashkiaku Vangjush Dako.

Ndërkohë veç kësaj mase kërkimi, Lulzim Berisha prej dhjetorit 2020 është në kërkim nga SPAK, pasi akuzohet si pjesëmarrës në vrasjen e Klodian Saliut dhe Vajdin Lames në muajin shkurt 2005.