Nga pushimet në Dubai te largimi nga Shqipëria, ja çfarë presin qytetarët nga 2022

Pesimizmi dominon mes qytetarëve në ditët e para të 2022. Enki me rubrikën e saj Vox Pop në emisionin  "Ditë e Re" në Rtv Ora, mori pritshmëritë për këtë vit të ri të atyre pak qytetarëve që u gjendën në orët e para të mëngjesit në qendër të Tiranës por edhe të shumë të tjerëve përmes mesazheve.

Largimi nga Shqipëria ishte kryefjala e tyre. Të tjerë shpresojnë për punë dhe shëndet por nuk munguan dhe dëshirat për pushime në Dubai.

Çfarë prisni nga 2022?

"Nuk pres asgjë nga 2022 se Shqipëria ka mbaruar, mezi po pres letrat të iki jashtë."

"Shpresoj që në 2022 të filloj punë më në fund se mbetën duke më mashtruar. Më thonë do fillosh do fillosh dhe akoma nuk kam vënë në punë diplomën."

"Asgjë, çfarë të presim me këtë shtet ne. Nuk ka zgjidhje."

"Nga 2022 pres shëndet se para kam mjaftueshëm".

"Nga 2022 pres një nuse të re, e dua më të re."

"Pres dhurata."

"Dua që në 2022 të largohem nga Shqipëria me familjen."

"Ishalla zhduket pandemia, ekonomia duhet rritur."

"Pres një grua ose të më kthehet ajo që më la."

"Këtu ka marrë fund, pres më shumë para, një të ardhme më të mirë për fëmijët e mi dhe nuk gjej asgjë. Përpiqem shumë bashkë me burrin dhe në fund paguajmë vetëm faturat."

"E vetmja gjë që më mungon është mami që humba para dy vitesh, do të doja të më kthehej ajo se të tjerat i kam në rregull."

"Dua të shkoj në Dubai me pushime si gjithë vajzat e tjera."

"Të rregullohet arsimi se duke u rregulluar arsimi rregullohet gjithë Shqipëria."

"Nuk pres asgjë, e kam mbyll unë. Vetëm Edi Ramën të kemi aty."

"Shëndet dhe punë."

"Pres vetëm para, të gjitha rregullohen po të kesh para. Paraja hedh ujin përpjetë."

"Nuk kërkoj asgjë përveç shëndetit të fëmijëve të mi."

"Dua vetëm shëndetin e familjarëve të mi."

"Dua shumë të largohem nga Shqipëria, e vetmja zgjidhje për mua."

"Dua të ketë lumturi, afrimitet, mos të jemi njerëz të egër. Të kemi punë dhe shëndet, të jemi të lirë. Njerëzit janë bërë të egër me njëri-tjetrin, nuk kanë dashuri".

"Kërkoj vetëm të zhdukem nga Shqipëria. Kam para mjaftueshëm por ti harxhosh këtu është gjynah."

"Kërkoj shumë që të iki në një qytet më të vogël, të largohem nga Tirana, pluhuri, pallatet, çdo gjë e keqe këtu. Po na e merr shpirtin dita-ditës."