Plumb të dashurës dhe arratiset, emigranti në Spanjë me pistoletë në hotel. 23-vjeçarja e justifikon

Një 23-vjeçare u plagos me armë zjarri nga i dashuri emigrant në Spanjë. Ngjarja u shënua në një hotel në autostradën Tiranë-Durrës, pas të cilës autori 32-vjeçar është arratisur.

Një takim dashurie rrezikoi të përfundojë në tragjedi.

Një 23-vjeçare mbeti e plagosur me armë në ambientet e një hoteli në autostradën Tiranë-Durrës.

E reja u qëllua me pistoletë nga 32-vjeçari Fatbardh Dervishi (Doda), me të cilin raportohet se ishte në një lidhje dashurie.

Ky i fundit, ishte kthyer vetëm pak ditë më parë nga Spanja ku qëndron dhe kishte kaluar natën me 23-vjeçaren.

Rreth orës 09:20 minuta të mëngjesit, policia e Durrësit u njoftua nga punonjësit e hotelit për të shtëna me armë.

Kur blutë arritën, gjetën atu vetëm vajzën e plagosur.

32-vjeçari Fatbardh Dervishi (Doda) ishte arratisur, duke e braktisur aty të dashurën me plumb në trup.

Kjo e fundit, në dëshminë e parë pasi ka marrë ndihmë mjekësore në Spitalin e Durrësit e ka paraqitur ngjarjen si aksidentale.

Ajo ka deklaruar se pistoleta ishte shkrepur pasi 32-vjeçari sipas saj ishte në gjendje të dehur.

Por përtej deklaratës, ekspertët e policisë së Durrësit janë ende duke kryer verifikime për dinamikën e ngjarjes.

Ndërkohë Fatbardh Dervishi (Doda), është shpallur në kërkim.

Për lokalizimin dhe vënien e tij në pranga u ngritën pika kontrolli në rrugët nacionale si ato që të dërgojnë në Tiranë, por dhe ato për në jug të vendit.