Muaj “i nxehtë” në PD, Berisha i ka lënë afat Bashës 5 janarin për t’u larguar nga posti i kryetarit

Sali Berisha i ka lënë afat Lulzim Basha edhe 5 ditë për të liruar zyrën e kryetarit, në rast të kundërt ish-kryetari i PD do të përgjigjet me protesta para selisë blu. Demokratët e ndarë në mbështetës të Berishës dhe të Bashës pritet të kenë një përballje mes tyre, që sipas liderit historik të PD do të përfundojë me rrëzimin e sërish kryetarit aktual.

Fillimi i 2022 e gjen Partinë Demokratike të ndarë në dy kampe, Lulzim Bashën në zyrë duke mbrojtur karrigen e kryetarit, ndërsa Sali Berisha në tentativat e tij për ta rrëzuar nga posti ish të besuarin e tij.

Pas Kuvendit dhe referendumit, Berisha i ka lënë afat Bashës 5 janarin për ta lënë të lirë zyrën e kryetarit.

Për të vijuar aksionin e tij, ish-kryeministri ka nxjerrë në terren duke nisur nga e diela e 2 janarit, anëtarët e Komisionit të Rithemelimit për të takuar bazën dhe  bindur anëtarët për ta larguar kryetarin aktual brenda muajit të parë të këtij viti.

Në rast se Lulzim Basha nuk do ta marrë në konsideratë thirrjen e paraardhësit të tij, atëherë me 8 janar në oborrin e godinës së PD do të mblidhen demokratët me në krye Sali Berishën për të protestuar dhe për të marrë selinë blu nën kontroll.

Por, këtë radhë Lulzim Basha nuk ka ndjekur këshillën politike të Sali Berishës, pasi në ditët e fundit të dhjetorit ai nisi aksionin politik me demokratët e Dibrës.

Në këtë takim ai nënvizoi faktin se ka ardhur koha të për të gjetur rrugëdaljen e spirales në të cilën është futur PD.

Në 10 ditëshin e parë të Janarit do të mësohet nësë mbrojtja e Lulzim Bashës do të jetë ose jo me e fortë se “sulmi” politik i Sali Berishës.