Burrat emigratë dhe gratë në fshat, Starja e Kolonjës po boshatiset nga mungesa e investimeve

Boshatisja masive e fshatrave të vendit është tanimë fakt. Të njëjtin fat ka pasur edhe fshati Starje në Kolonjë. Të rinjtë kanë ikur nga atje, ndërsa ata që kanë mbetur aty kryesisht gratë e të moshuarit flasin për mungesën e investimeve nga Bashkia e drejtuar nga Erion Isai.

"Burrat marrin rrugën e kurbetit, gratë e fshatit mblidhen me punët e fshatit këtu."

Në fshatin Starje të Kolonjës nuk gjen më të rinj.

Të pashpresë për një të ardhme në vendin e tyre, ata kanë ikur masivisht në emigracion.

"Kanë ikur shumica."

"Keq e më keq po shkojmë. Të rinjtë janë larguar. Fshati nuk ka të ardhura, jemi në mal të Gramozit. Më shumë bën dimër se behar."

Në fshat duket sikur koha ka ndalur.

Të mbeturit aty ankohen për infrastrukturën në të cilën nuk është investuar kurrë.

Duhet të udhëtojnë disa kilometra për të siguruar ujin e pijshëm.

"Një çerek ore me këmbë për të mbushur ujë me krah."

Thonë se janë ankuar disa herë në Bashkinë e drejtuar nga Erion Isai, por kërkesat e tyre nuk janë marrë asnjëherë parasysh.

"Jemi ankuar dhe asgjë."

Blegtoria, bujqësia dhe emigrimi janë të ardhurat e vetme të banorëve të këtij fshati pak kilometra larg Ersekës.