“Emigrantë” brenda Shqipërisë, punëtorë nga Lushnja për të vjelë mandarinat në Konispol

Kushtet e vështira ekonomike detyrojnë mijëra e mijëra shqiptarë që çdo vit të emigrojnë për të siguruar të ardhura. Prej pak vitesh, po njihet edhe emigrimi brenda vendit. Në këtë periudhë të vitit, Konispoli është një prej zonave që ofron mundësi punësimi në vjeljen e agrumeve.

Violeta dhe Agimi, burrë e grua, në këtë periudhë të vitit janë vendosur në Xarë të Konispolit ku punojnë në vjeljen e mandarinave.

"Vijmë nga Lushnja me këtë fushatën e punës këtu."

Ata thonë se në qytetin e tyre edhe kur kanë gjetur punë, pagesat janë të ulta, ndaj janë kthyer në emigrantë brenda vendit.

"Nuk gjen punë."

"Vijmë punojmë këtu si hallexhinj. Kam 9 vjet që vij këtu, qëndroj në punë gjatë fushatës që vjeljes, dy muaj punë."

Këto ditë janë intensive në plantacionet e agrumeve, ndaj bashkëshortët nga Lushnja nuk u rikthyen në shtëpi as për festa.

"Vitin e Ri do ta kalojmë këtej, me çfarë ta festosh kur nuk ke lekë."

Prodhimi këtë vit ka qenë i bollshëm dhe cilësor, por fermerët nuk janë të kënaqur me tregun.

Aretia dhe Thomai kanë hedhur mundin dhe kapitalin e jetës në këtë parcelë.

"Kur fillon manderina ka shumë punë. Është një punë shumë e vështirë, ka shumë vështirësi deri sa vjen vjelja".

Ata do të vazhdojnë të zgjerojnë kultivimin e mandarinave dhe portokalleve, por kërkojnë më shume vëmendje dhe mbështetje ndaj fermerit.

"Nuk kemi asnjë lloj ndihme, vetëm me forcat tona."

Zona e Konispolit është prodhuesja më e madhe në vend e mandarinës.