Shuhet Betty White. Ylli i "Golden Girls", u nda nga jeta në moshën 99-vjeçare
Aktorja Betty White, e cila rrëmbeu audiencën e televizionit amerikan, duke sjellë humor për më shumë se shtatë dekada, nëpërmjet sitcom-eve të njohur "The Golden Girls" dhe "The Mary Tyler Moore Show", ndërroi jetë në moshën 99-vjeçare.
"Edhe pse Betty ishte gati të mbushte 100 vjeç, mendova se ajo do të jetonte përgjithmonë," është shprehur agjenti i saj Jeff Witjas.
"Do të më mungojë tmerrësisht ajo dhe po ashtu edhe bota e kafshëve që ajo e donte aq shumë. Besoj se Betty nuk kishte pasur ndonjëherë frikë nga vdekja sepse gjithmonë donte të ishte me burrin e saj më të dashur Allen Ludden. Ajo besonte se do të ishte përsëri me të. "
E nderuar nga Rekordet Botërore “Guinness” si artistja femër me karrierën më të gjatë televizive, White u shua në shtëpinë e saj, në natën e ndërrimit të viteve.
White ka fituar tetë çmime Emmy, tre “American Comedy Awards”, tre “Screen Actors Guild Awards” etj, dhe gjithashtu kishte yllin e saj në “Hollywood Walk of Fame”.
Ajo po përgatitej për të festuar ditëlindjen e saj të 100-të më 17 janar. Përpara vitit të saj të 100-të, në janar, White dha një intervistë ku u shpreh se të qenit "e lindur si një optimiste kokëfortë" ishte çelësi i natyrës së saj pozitive.
Artistja veterane la pas një karrierë të gjatë si aktore e madhe, si komedianë, autore, aktiviste për të drejtat e njeriut dhe një nga femrat e para pioniere në televizion.
