“Spider-man No Way Home” filmi me arkëtimin botëror më të madh për vitin 2021
“Spider-Man: No Way Home” ka thyer çdo rekord, duke u bërë filmi i parë i epokës së pandemisë që ka fituar më shumë se 1 miliard dollarë në arkëtimet botërore. Prodhim i “Marvel Cinematic Universe”, “Spider-Man” mori gjithashtu titullin e filmit me fitimin më të madh për vitin 2021. Gjatë fundjavës, arkëtimet globale arritën në 1.05 miliardë dollarë. Filmi nuk është shfaqur ende në Kinë, që është aktualisht tregu më i madh i kinemasë në botë.
Ai mundi filmin epik të Luftës Koreane të prodhuar nga Kina, “Beteja e Liqenit Changjin”, që ka arkëtuar më shumë se 905 milionë dollarë në mbarë botën.
Filmi i fundit që fitoi më shumë se 1 miliard dollarë ishte “Star Wars: The Rise of Skywalker” i vitit 2019, sipas të dhënave të “Comscore”. Asnjë prodhim tjetër i Hollivudit nuk i është afruar arritjes së këtij momenti historik në arkëtim që nga fillimi i pandemisë dy vjet më parë.
Filmi vazhdon ngjarjen pas episodit të fundit të Spiderman ku me identitetin e tij tashmë të zbuluar, Peter, i kërkon ndihmë Doctor Strange.
Kur një magji shkon tmerrësisht keq, kundërshtarë të rrezikshëm nga botë të tjera fillojnë të dalin në skenë, duke e detyruar Peter të kuptojë se çfarë do të thotë me të vërtetë të jesh Spiderman. Filmi vjen sërish nën regjinë e Jon Watts ndërsa në rolet kryesore luajnë aktorët e njohur si Tom Holland, Zendaya, Benedict Cumberbatch, Jon Favreau etj.
