Kundërshtohet harta e re gjyqësore, avokatët: Drejtësi e vonuar, drejtësi e mohuar!
Nëse harta e re gjyqësore e propozuar do të miratohet pa ndryshime, në këtë Sallë të Gjykatës së Sarandës nuk do të jepet me drejtësi.
Ajo është një prej 20 Gjykatave që parashikohet të shkrihen, duke i detyruar banorët e 4 bashkive jugore që për të kërkuar të drejtën të udhëtojnë dhe harxhojnë më shumë.
Avokati nga Saranda, Ilir Nikolla, është kundër hartës së re të propozuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Ministria e Drejtësisë.
"Qëllimi i shtetit është që shërbimi të shkojë te qytetari dhe jo qytetari te shërbimi," tha avokati.
Ai thotë se reforma jo vetëm trefishon koston e qytetarit por nuk garanton as efikasitet.
"Nëse shkon në Gjirokastër, në Lushnje, në Tiranë unë mendoj që drejtësinë qytetari do ta marrë pas 2-3 vjetësh," shtoi ai.
Kundër hartës së re gjyqësore janë edhe avokatët e Korçës, ku projekti parashikon që juridiksionit të saj ti shtohet edhe Pogradeci.
"Nga disa kolegët tanë është hedhur dhe ideja e një bojkoti."
Arben Lena, kryetar i Dhomës së Avokatëve në Korçë thotë se rishpërndarja e Gjykatave nuk i shërben qytetarit dhe vetë sistemi i drejtësisë nuk mund të funksionojë.
"Unë nuk e di se kujt do t'i shërbejë, por e sigurt që nuk do t'i shërbejë popullit, nuk do t'i shërbejë marrjes së drejtësisë."
Drafti parashikon vetëm 1 Gjykatë Apeli për juridiksionin e përgjithshëm dhe 1 për atë Administrativ në Tiranë.
Për avokatët edhe kjo skemë është e gabuar.
"Brenda një viti, një gjyqtar përfundon 220 dosje, 3000 dosje një gjyqtari të Apelit i duhet 15 vjet që t'i përfundojë.
Pavarësisht qëllimit, avokatët thonë se ata që kanë hartuar hartën e re gjyqësore kanë harruar një parim bazë.
"Postulati i famshëm "drejtësi e vonuar, drejtësi e mohuar".
Harta e re gjyqësore parashikon që nga 36 gjykata në të gjithë vendin të mbeten vetëm 16 institucione ku jepet drejtësi.
