"Nuk janë ulur aksidentet", Sulçe: Projektet e infrastrukturës lindin në darka qejfi të qeverisë

Një fëmijë vetëm 3 vjeç dhe i ati rreth të 30-tave humbën jetën në një aksident tragjik në Rrugën e Kombit pasditen e së hënës, 27 dhjetor. Makina me të cilën udhëtonte familja Prenga nga Rrila e Lezhës u përplas nga një "Benz" i cili shpërtheu në flakë. Nëna e 3 vjeçarit dhe shoferi që dyshohet se ishte shkaktar i përplasjes ndodhen në Spitalin e Traumës në gjendje të Rëndë.

Eksperti i sigurisë, Artur Sulçe i ftuar në studion e Ora Neës, me gazetaren Matilda Mcini u shpreh se norma e aksidenteve në vendin tonë është e lartë.

Sulçe: Nëse i referohemi aksidentit tragjik në rrugën e Kombit ndihesh keq në kuptimin e parë dhe pastaj fillon e bën analizën teknike. Duhet pasur parasysh diçka, Entet rrugore ose pushteti qendror me pushtetin lokal për qeverinë që është sot në pushtet kjo rrugë duhet të kishte prioritet për vetë strategjinë që kishte dhe duhet të ishte mbaruar. Në këtë këndvështrim ky duhet të ishte një projekt i mbaruar, por ne jemi mësuar që të nisim një projekt duke pasur 100 lekë në xhep, nisim rrugë dhe punë që bëjnë 1 milion lekë dhe s'kemi ku i gjejmë lekët më pas e i lëmë në mes. Dhe në mes gjithmonë do kemi këto elemente.

Eksperti tha se "që nga viti 2013 e këtij nuk ka zvogëlim të frekuencës së ndodhjes së aksidenteve, por luhet vetëm me statistika të fshehta duke pasur parasysh dhe numrin e automjeteve që ndodhen në vendin tonë dhe numrin e mjeteve që nuk qarkullojnë."

Sulçe: Në këtë këndvështrim do ishte mirë që çdo punë e nisur të mbaronte në lidhje me infrastrukturën dhe do ishte mirë që t'i referohen gjithmonë sigurisë. Është gënjeshtër kur thonë janë ulur aksidentet. INSTAT thotë në 2020 kemi pasur si vit kalendarik 1598 aksidente, kurse si 11 mujor në 2021 ne kemi 1726. Kemi rreth 200 aksidente më tepër si 11 mujor, se s'është mbyllur akoma. Po të shikosh trendin nga 2014  dhe t'i shikosh me radhë vitet rritet numri i aksidenteve.

Sipas ekspertit projektet në Shqipëri nuk ndjekin procedurat e veprave publike. Ai tha se projektet lindin në darka qejfi të zyrtarëve dhe të nesërmen kalojnë në ARRSH.

Sulçe: Kur projektohet një infrastrukturë rrugore nuk projektohet për të zgjidhur hallin e momentit, ajo projektohet që do jetojë minimalisht 20 vjet, po flasim për Shqipërinë 20 vjet se bota punon me 100 vjet. Pas matjeve të trafikut dhe marrjes së mendimit të specialistëve atëherë merr formë dhe projekti. Por projektet në Shqipëri ne jemi mësuar që t'i shohim të gjithë ata persona që janë pranë qeverisë, militantë apo bashkëpunëtorë të ngushtë të tyre duke biseduar në një darkë qejfi, aty lind projekti dhe të nesërmen ai projekt kalon në ARRSH pa u ndjekur të gjitha procedurat për veprat publike.

Kjo është arsyeja pse projektet kanë mangësi të theksuar se brenda 24 orëve firmoset, dalin fondet dhe sipas ekspertit nuk ka shanse që ta studiosh.

Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti Xhuljana Zhuleku