Vrasja e Behar Sofisë, Bujar Leza qan në gjykatë: Nuk kam lidhje me vrasjen

Gjykata e Posaçme la në burg pa afat personin e pestë të arrestuar si bashkëpunëtor në vrasjen e biznesmenit Behar Sofia. Bujar Leza ka mohuar në gjykatë përfshirjen në këtë ngjarje ndërkohë që prokuroria tha se ai është personi që i ka siguruar armën dhe biçikletën autorit dhe e ka siguruar se do t’i merrte 30 mijë eurot që i ishin premtuar si pagesë për kryerjen e atentatit.

Gjykata e Posaçme ka vendosur masën “arrest me burg” për Bujar Lezën, personin e pestë të dyshuar si bashkëpunëtor në vrasjen e biznesmenit Behar Sofia.

I dyshuari ndodhej i arrestuar për dhunë në familje në burgun e Fushë Frujës, ndërsa gjatë kësaj kohë u ngrit edhe një tjetër akuzë si bashkëpunetor në vrasjen e 66-vjeçarit.

Sipas prokurorisë, Leza i ka siguruar armën dhe biçikletën autorit, madje ka folur me të në telefonin duke i pohuar se mos të kishte merak pasi porositësit e vrasjes do t'ia jepnin 30 mijë eurot që i kishin premtuar.

Por të gjitha pretendimet e prokurorisë janë mohuar nga i pandehuri, madje ai ka qarë në gjykatë duke thënë se nuk ka lidhje me vrasjen.

Pavarësisht pretendimeve gjykata pranoi kërkesën e SPAK, duke e lënë Lezën në qeli për akuzën e re.

Sipas prokurorisë ai dyshohet se ishte koordinator mes porositësve dhe vrasësve që ndoqën Behar Sofinë dhe më pas e vranë pranë banesës.

Deri tani organi i akuzës nuk ka mundur të shkojë te porositësit për të kupruar edhe motivin e kësaj ngjarje.

Bujar Leza akuzohet për “Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në bashkëpunim të veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal, "Grupi i strukturuar kriminal" dhe "Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

 

Më herët për këtë ngjarje, janë arrestuar edhe katër të dyshuarit e tjerë të cilët bashkëpunuan me autorin e vrasjes Ernejt Shyti.

Ky i fundit pohoi se i ishin premtuar 30 mijë euro për ekzekutimin e biznesmenit së bashku me tre bashkëpunëtorët e tij Xhuljano Visha, 28 vjeç, Leonard Xhixha 30 vjeç, dhe Skënder Vathi, 54 vjeç.

Behar Sofia, 66 vjeç, u ekzekutua mëngjesin 25 shkurtit afër Piramidës në Tiranë, ndërsa vrasësi u largua me biçikletë.