Bora e bllokoi sërish, borëpastrueset e ARRSH-së hapin rrugën e Thethit

Qarku i Shkodrës është përfshirë nga reshje të dendura shiu të cilat janë prezente prej 24 orësh në territor, ndërsa në zonat malore janë rikthyer reshjet e deborës.

Kjo ka ndikuar që të shtohen prurjet në kaskadën e Drinit, duke dhënë sinjale pozitive për kapërcimin e krizës energjitike. Megjithatë situata paraqitet e qetë në 3 hidrocentralet, Fierzë, Koman dhe Vau Dejës, pasi ndodhen larg pikës maksimale.

Edhe niveli i lumenjve Drin, Bune dhe Kir si dhe liqeni i Shkodres janë në kuota normale per periudhen e dimrit dhe larg pikës së rrezikut thonë drejtues të emergjencave civile, duke bërë që zona e nenShkodres të jetë fatmirësisht jashtë ndikimit të përmbytjeve.

I vetmi problem i paraqitur në këto orë është furnizimi me energji elektrike, ku po punohet për riparimin e defekteve në fshatrat e Gjegjanit, Rrapes dhe Qafe Malit  në Fushe Arrez, në Puke ka shkeputje te energjise në Luf, e gjithashtu edhe në disa zona të  Vau Dejes. Në SHkoder, probleme janë raportuar  në Ças, Zues dhe në disa lagje te qytetit me Fiderin 5.

Alpet vijojnë të jenë të izoluara nga dëbora, ku më problematike paraqitet situata në rrugën që lidh Vermoshin e Lëpushën me Shkodren, ndërsa në Theth pas një kalvari të gjatë vuajtjesh të banorëve atje, më në fund të hënën paradreke rruga është hapur.

Dy borëpastrueset e dërguara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar që ka marrë në administrim rrugën, ka mundësuar hapjen e saj, duke paraqitur një panoramë tjetër nga ajo e një viti më parë, kur zetori i Forcave të Armatosura nuk arrinte të depertonte as deri në Qafë Thore për ditë të tëra.

Thethi fatmirësisht del kështu nga izolimi, por shpresohet që ajo të mbahet, duke mos u bllokuar sërish sapo fadromat të ikin.